Shoqërohet në polici ish-drejtori i policisë bashkiake, Florenc Hoxha. Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat.
Mësohet se Hoxha po hetohet lidhur me protestën e sotme të opozitës para Kryeministrisë. Ai rezulton të jetë fotografuar nga shërbimet e policisë në protestë.
“BalkanWeb” mëson se Hoxha ndodhej në shtëpinë e tij kur policia i ka shkuar për kontroll, e më pas e kanë shoqëruar në komisariat.
Bëhet me dije gjithashtu se pas përfundimit të protestës u ngrit një grup hetimor që po merret me identifikimin e personave që kryen akte të dhunshme gjatë protestës, duke dhunuar pronën publike. Deri më tani raportohet për 20 persona të shoqëruar.
Në ditët në vijim policia thotë se do kryejë të tjera shoqërime.
INCIDENTET E FLORENC HOXHES
Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë kreun e Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Florenc Hoxha, pasi akuzohet se ka dhunuar dy persona.
Siç thuhet në njoftimin e Policisë, “është vënë në pranga Florenc Hoxha, 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë kryetar i Inspektoriatit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, sepse më datë 09.05.2015, në rrugën ‘’Ali Demi”, ka kanosur se do t’u prishte lokalin dhe ka goditur me grushta dhe shkelma shtetasit K.K, 35 vjeç, banues në Tiranë dhe E.K, 37 vjeç, banues në Tiranë”.
Ndërsa në vitin 2014, kreu i Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, Florenc Hoxha, është përfshirë në një përleshje, ku ka mbetur vetë i plagosur. Ngjarja ndodhi më 14 nëntor 2014 në ambientet e një lokali në Priskë, Farkë të Tiranës, kur Hoxha u qëllua me thikë nga një person, që ndodhej në një tavolinë tjetër. Plagosja u regjistrua në lokalin që ndodhej rreth 200 metra pranë banesës së Hoxhës.