Policia u kërkon llogari qytetarëve në rrugë: Pse dilni pa maska (video)

Rritja e ndjeshme e rasteve pozitive me Covid-19 ka bërë që Task-Forca anti-Covid të ndërmarrë masa imediate.

Sot kanë dalë nëpër rrugët e Tiranës punonjës të Policisë duke u kërkuar llogari qytetarëve për mosvendosjen e maskës apo edhe duke i ndërgjegjësuar për rritjen e vigjilencës ndaj higjienës.

Këtë aksion të tas-Forcës e ka ndjekur nga afër Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko dhe drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit Albert Dervishaj.

Kuko tha për mediat:

“Numrat na tregojnë se rreziku i pandemisë nuk ka kaluar, madje ka një shqetësim në rritje. Ndaj masat duhen forcuar dhe vigjilenca duhet shtuar. Askush nuk do të ngelet pa u inspektuar dhe pa marrë masat kundër COVID. Masat e hapjes janë të kushtëzua. Ne duhet të shijojmë me përgjegjshmëri këtë liri dhe të jemi të ndërgjegjshëm.”

Ky aksion u paraljmërua sot nga Dr. Flutura Beqo, e cila deklaroi nga ambientet e MSH:

“Inspektorët e Task-Forcës anti-covid do të vijojnë kontrollet në çdo subjekt, në institucione apo biznese tregtare të çdo lloji, për zbatimin e protokolleve të sigurisë.
Do të vijojë bashkëpunimi me forcat e rendit për kontrollin e vazhdueshëm për zbatimin e karantinës të qytetarëve të konfirmuar pozitive që janë pa shenja dhe që duhet të respektojnë detyrimin për të qëndruar të izoluar.
Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh.”

Loading...