Krijimi i një ure komunikimi mes komunitetit e policisë dhe lehtësimi i shërbimeve rutinë të uniformave blu. Është ky synimi i ngritjes së projektit pilot të policimit vullnetar për të cilin policia e shteti ka hapur sërish aplikimet për 97 kuota në Tiranë, Elbasan dhe Kukës.
Drejtori i rëndit publik në policinë e shtetit, Albert Dervishaj shprehet se pritshmëritë janë që policimi vullnetar të lehtësojë punën e uniformave blu duke qëndruar pranë komunitetit për ti ardhur në ndihmë dhe për tu njohur me çdo problematikë të tyre.
“Synojmë dhe kemi pritshmëri se me funksionimin e policimit vullnetar të arrijmë në rezultate të prekshme. Së pari në ndërtimin e një ure të fortë mirëkuptimi dhe komunikimi mes policisë dhe komunitetit. Ne presim që pasi policët vullnetarë të trajnohen të mund të lehtësojnë një pjesë të shërbimeve rutinë të policisë së shteti. Ju e dini që në Shqipëri kemi një numër të caktuar punonjësish policie për banorë dhe nuk e mbulojmë dot të gjithë territorin në çdo kohë me punonjës policie”, u shpreh drejtori i rendit publik, Albert Dervishaj.
Por a është policimi vullnetar një trampolinë ideale për tu rekrutuar në të ardhmen në rradhët e uniformave blu?
“Sigurisht që e kanë një shans, e kanë një shans. Unë besoj që do t’u bëjë mirë dhe nëse ata do të punojnë mirë 2-3 vite pranë strukturave të policisë së shtetit dhe do të shfaqin talent dhe aftësi në zbatimin e detyrimeve që marrin apo problematika të tjera që do tu jepen për detyrë, sigurisht që ata do kenë një shans më shumë në drejtim të rekrutimit si punonjës të policisë së shtetit”, u shpreh drejtori i rendit publik, Albert Dervishaj.
Të pajisur me veshje përkatëse dalluese dhe me të gjithë aksesorët e një efektivi policie por pa armë dhe pa tagër për të arrestuar apo gjobitur, drejtori i rendit publik Dervishaj sqaron se polici vullnetar do të ketë statusin e një efektivi profesionist.
“Policin vullnetar ta respektojnë ashtu si policinë e shtetit, sepse edhe statusin polici vullnetar e ka të njëjtë me atë të policit të shtetit. Nëse kundërshtohet një polic vullnetar ke kundërshtuar një punonjës i policisë së shteti, nëse respektohet polici vullnetar në këtë nivel edhe polici i shteti po kështu respektohet”, u shpreh drejtori i rendit publik, Albert Dervishaj.
Për tu bërë pjesë e projektit pilot të policimit vullnetar aplikimet vijojnë deri në datë 15 gusht me kandidatët që duhet të plotësojnë disa kritere: të jenë shtetas shqiptar, mos të jenë përjashtuar nga radhët e policisë, të kenë përfunduar arsimin e mesëm, mos të jenë të dënuar në të shkuarën e të jenë të moshës 18 deri në 65 vjeç.