Politika shqiptare ‘Kallame Gushti’ – Nga Genc Demiraj

Nga Genc Demiraj

Kallame gushti…

Nëse pyetjen e thjeshtë : – se si ju duket politika shqiptare ?, ja bënë një politikani…ai gjithë seriozitet dhe pompozitet do të të zbrazë një pafundësi ligjëratash të mbarsura me terma dhe terminologji të pakuptimta, derisa mundimshëm do të arrije në definicionin që : politika është …politikë !!

Dhe nëse po kaq thjeshtë këtë pyetje ja bëmë një njeriu të zakonshëm nga populli, ai pa teklif shumë shkurt, qartë dhe shkoqur na u përgjigj : – Kallame gushti !!
Një përgjigje alla popullore që do të thotë shumë. Politika shqiptare është kallame gushti…është rrëmujë, dhe më shumë se rrëmujë…
Na u duk se në fillimvitet e demokracisë politika dhe lojtarët e saj, politikanët, po e ushtronin dhe eksploronin për herë të parë këtë fushë dhe këtë profesion, ndaj dhe ndonjë lajthitje apo gafë sado të rrezikshme në politikë ja justifikonim me të qenurit amatorë dhe pa përvojë.

Ecëm me mendimin se koha dhe betejat do ti bënin profesionistë dhe kualitativë. Do të “nxënin” nga politika për ti shërbyer politikës së administrimit të shtetit por siç duket paskemi gabuar.

Nga askush dhe asnjëherë, politika tek ne nuk është përdorur për misionin principial si rregullator dhe moderator i sistemeve shoqërore por si suport dhe mjet i devoluimit të tyre. Afërmendsh që paaftësia totale e klasës politike, mpleksur kjo edhe me veçantitë psiko-karakteriale të lidershippit të tyre, po e çonë vendin drejt një anarkie institucionale ku pashmangshmërisht katastrofa do ti rëndojë popullit.

Çudirat e rokopujës politike apo e thënë ndryshe të luajturit me nje portë si dhe lufta për rrëzim e marrje pushtetesh, ka hedhur në kosh formulat klasike të politikës. Nuk dihet për sa kohë kjo barbari principesh, moralesh, vlerash pa politesë e politikës do të ekzistojë në këtë vend. Por dihet me siguri se nga kjo politikë dhe nga këta politikanë greminën e të ardhmes mund ta kemi shumë afër…
Nuk gabon i varfëri popull që thotë : – kallame gushti…

Loading...