Politika shqiptare ka uruar 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjete sociale, me imazhe nga lufta e deri te shpallja e Kosovës shtet i pavarur.
“Mirëmëngjes. Urime të gjithë shqiptarëve ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovë”, shkruan Rama. Lulzim Basha shkruan se përulet me nderim dhe mirënjohje para presidentit Ibrahim Rugova, Adem Jasharit dhe të gjithë ushtarëve që luftuan për Kosovën.
“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Gëzuar këtë ditë fatlume shqiptarëve kudo në botë.
Në përvjetorin e 14-të të shtetit të Kosovës, përulemi me nderim dhe mirënjohje para Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarëve, patriotëve, bijve dhe bijave të kombit tonë që kanë kryer sakrificën më sublime për pavarësinë.
Kjo ëndërr e bukur lirie, është sot demokracia më e gjallë e rajonit që, pavarësisht vështirësive, gëzon tashmë rrënjët e forta të një shteti me institucione të konsoliduara dhe stabilitet politik, i cili punon me vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për integrimin euroatlantik. Edhe në këto kohë sfiduese, jam krenar për arritjet e deritanishme dhe shpresëplotë për të ardhmen e Kosovës, me të cilën do të ecim vëllazërisht përpara, drejt fatit tonë europian. Gëzuar Kosovë e dashur”, shkruan Basha.
Me një urim për Kosovën e ka nisur mëngjesin edhe presidenti Ilir Meta. Me anë të një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit i shpreh mirënjohjen dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës.
“Gëzuar Kosovë e dashur! Mirënjohje përjetë Heronjve, Dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës! Shqipëri-Kosovë gjithmonë krah njëra-tjetrës”, shkruan Meta.
Sot 14 vite më parë, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët, veç atyre serbë, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke u realizuar dëshira shekullore të shqiptarëve për të fituar pavarësinë.
Prej 17 shkurtit të vitit 2008 Ballkanit iu shtua edhe një shtet i ri, Kosova, e cila filloi të njihej menjëherë nga shtetet mike, ku deri më tani ajo është njohur nga 113 shtete në botë.