Në Gjykatën e Mitrovicës ka nisur rigjykimi i A.H., person i akuzuar për veprën penale – trafikim me qenie njerëzore. Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja, A.H. tha se ndihej i pafajshëm.
Akuza e Prokurorisë së Mitrovicës thotë për A.H. se në data të papërcaktuara nga viti 2011 deri në në 2012 në vazhdimësi në hotel “Adria“ dhe restorantet “Baron“ dhe “Rings“, në Prishtinë, ai ka marrë pjesë në trafikimin e njerëzve.
Ai fillimisht e kishte rekrutuar një femër, të dëmtuarën A.T., duke përdorur forcën dhe forma tjera të shtrëngimit, duke e mbajtur nën kontroll të rreptë e të robëruar. Fillimisht ai kishte gjurmuar persona të përshtatshëm me gjendje të mirë financiare për t’i joshur, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.
Më pas, vajza ishte detyruar që personave të tjerë t’u ofrojë shërbime seksuale kundrejt një pagese dhe përfitimeve të tjera,të cilat ia kishte dorëzuar të pandehurit. Sumat e parava që merrte prostituta nga personat e ndryshëm për kryerjen e këtyre shërbimeve shkonin prej 20 deri në 1.000 euro. ,Për këtë i akuzuari A.H. ngarkohet për kryerjen e veprës penale – trafikim me njerëz.
Pas kontrollit që ishte bërë në banesën e tij në Vushtrri ishte gjetur 1.13 gram marihuanë, të cilën ia kishte dërguar prostitutës, meqenëse ajo kishte bashkëjetuar me të pandehurin, thuhet në akuzë. Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale – blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, shkruan Express.
Po ashtu, mes viteve 2011 dhe tetor 2012, prostitutën A.T. e kishte detyruar me armë zjarri që të zhvishet duke i vënë pistoleten mbi trup. Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe lëndim i lehtë trupor.
Gjykata Themelore e Mitrovicës në dhjetor të vitit 2014 të pandehurin e kishte liruar nga akuzat. Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim çështjen.