Ndonëse nuk ka një ende një shifër përfundimtare të përfituesve nga amnistia e fundvitit, është e sigurt që numri i tyre do të jetë shumë më i vogël se i atyre që nuk do t’i lënë qelitë.
Kjo për shkak të panoramës aktuale që ofrojnë burgjet në vend dhe llojit të dënimeve që kryhen në to. Referuar statistikave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve gjatë muajit nëntor në burgjet dhe paraburgimet e vendit numëroheshin 5200 persona në total, nga të cilët 89 gra dhe 28 të mitur.
“Mëkati” më i ndeshur mes tyre është përfshirja në çështjet e drogës, për të cilën vuajnë dënim 825 vetë, ndërsa 743 të tjerë qëndrojnë në paraburgim. Në rang zbritës për nga numri i të izoluarve, kjo vepër ndiqet nga “vjedhjet” dhe të akuzuarit për “vrasje”.
Për shkak të masivitetit, zë i veçantë në statistikat e burgjeve i është dhënë edhe “mashtrimit”, për të cilin qëndrojnë në qeli 132 persona. Sipas të dhënave, numri më i madh i liri-humburve i përket grupmoshës 30-40 vjeç, ndërsa vuajnë burgun edhe 9 të moshuar mbi 80 vjeç.
Me gjithë ndryshimet dinamike të totalit për shkak të lirimeve, apo arrestimeve, pesha e shifrave rëndon më shumë nëse llogaritet edhe kostoja financiare në buxhetin e shtetit për çdo të burgosur e paraburgosur./A2