Shtatë shqiptarë kanë rënë në pranga të akuzuar për vjedhje me forcë të rreth 70 apartamenteve në Nancy të Francës përgjatë tre muajve të fundit të vitit 2018.
Sipas policisë vlera e sendeve të vjedhura kap vlerën e 300 mijë eurove, duke përfshirë këtu bizhuteri, sende me vlerë dhe para cash.
Në pranga kanë rënë 4 anëtarët të familjes Kajtazi, të cilët drejtoheshin nga Arif Kajtazi, të cilët prej vitesh ishin rezidentë në Nancy, njofton shqiptarja
Si pjesë e së njëjtës bandë në Shqipëri u ndaluan Besnik Fufi, Alfons Perloka dhe Aleks Marku, për të cilët gjykata caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes”, “pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “grupi i strukturuar kriminal.
Në bazë të hetimeve të përbashkëta franko-shqiptare rezulton se familja Kajtazi u siguronte Fufit, Perlokës dhe Markut banesën dhe mjetet për realizimin e vjedhjeve. Tre të arrestuarit në Shqipëri, pasi kryenin vjedhjet në Francë, riktheheshin në qytetin e tyre, në Laç, ku depozitonin sendet e grabitura.
Grupi i shqiptarëve ra në gjurmë të autoriteteve policore, pasi kishin nisur hetimet për vjedhje në seri të kryera në rajonin e Nansy-t, në Francë, por edhe në Belgjikë e Itali.
Arrestimi i 7 personave të dyshuar u realizua në mënyrë të njëkohshme në Francë dhe në Shqipëri. Për shkak të mungesës së marrëveshjes së ekstradimit, tre të arrestuarit në Shqipëri do të gjykohen nga Gjykata për Krime të Rënda. Ndërsa 4 shqiptarët e arrestuar në Francë pritet të gjykohen nga autoritetet gjyqësore të Nancy-t.