“Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) për shkak të temperaturave të ulëta që pritet të arrijnë deri në -2 gradë celcius, me pasojë ngrica dhe reshje dëbore, qarku ynë do të përballet me situata të pazakonta sidomos për qarkullimin e mjeteve, lëvizjen e qytetarëve, furnizimin me ujë, ngrohjen dhe problematika të tjera”, bën të ditur Prefektura e Gjirokastrës.
Duke marrë shkas nga parashikimet e bëra, institucioni i Prefektit të qarkut Gjirokastër, në rolin e drejtuesit të Shtabit të Emergjencave Civile dhe Krizave, i bën apel të banorëve të qarkut të kenë kujdes gjatë qarkullimit me mjete dhe të raportojnë çdo rast emergjent të mundshëm në numrin 129 të drejtorisë vendore të Policisë, në numrin 128 të sektorit të zjarrfikëses dhe pranë sektorëve të emergjencave civile në bashkitë dhe njësitë administrative të qarkut.
Institucioni i Prefektit të qarkut do të jetë i gatshëm për çdo problematikë apo shqetësim të mundshëm të krijuar përgjatë këtyre ditëve të pazakonta. /atsh