Presidenti çek Milos Zeman: “Më pëlqen Serbia dhe populli serb dhe nuk më pëlqen Kosova”

Presidenti çek Milos Zeman u dëgjua duke thënë se “nuk i pëlqen” Kosova, ndërsa takohej me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç pas mbërritjes në Beograd të martën.

Zeman ndodhet në Serbi për një vizitë dy-ditore që pritet të përqendrohet në përmirësimin e lidhjeve tregtare midis dy vendeve.

Ai i tha zotit Vuçiç në aeroportin e Beogradit se “më pëlqen Serbia dhe populli serb”, duke shtuar më pas me zë të ulët: “dhe nuk më pëlqen Kosova”.

Serbia nuk e njeh deklaratën e pavarësisë së Kosovës, por Republika Çeke është ndër 22 vendet anëtare të Bashkimit Evropian që e kanë njohur Kosovën.

Vuçiç nuk iu përgjigj drejtpërdrejt komentit të Presidentit Zeman, por u përgjigj “faleminderit shumë”.

Më vonë ata morën pjesë në një ceremoni për vendosjen e kurorës në Monumentin e Mbrojtësve të Beogradit 1914-1918./Voa

Loading...