Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Talasemisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut të organizuar nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit Shtetëror të Tiranës në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.
Gjatë kësaj seance ndërgjegjësuese të dhurimit të gjakut, që u zhvillua në godinën “Liria” të Qytetit Studenti, Presidenti Meta vuri në dukje se “Ky dhurim merr një simbolikë të madhe, sepse ndodh më 8 maj, që është Dita Ndërkombëtare e Talasemisë dhe gjaku, që ju dhuroni sot, do të shkojë në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve talasemikë, që kanë aq shumë nevojë për të”.
Kreu i Shtetit falënderoi profesorët dhe studentët e Fakultetit Ekonomik, sidomos të rinjtë e të rejat që janë kaq të përkushtuar ndaj një kauze të tillë jetike e me rëndësi të jashtëzakonshme humane siç është dhurimi i gjakut, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Talasemisë.
“Jam shumë i kënaqur që rikthehem në Qytetin Studenti, me rastin e 1-vjetorit të krijimit të Aleancës për Dhurimin e Gjakut dhe 20-vjetorit të Shoqatës së Talasemikëve Shqiptarë.
E rëndësishme është të angazhohemi si shoqëri dhe të inkurajojmë sa më shumë të rinjtë e të rejat të përfshihen në kauzën e dhurimit të gjakut.
Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim dhe do kërkojmë kontributin dhe angazhimin e kujtdo. Natyrisht i japim dhe prioritet dhe dhuruesve të rregullt, që në mënyrë të vazhdueshme ta zgjidhim këtë çështje njëherë e përgjithmonë përmes dhurimit vullnetar, siç kanë bërë të gjithë vendet e tjera të zhvilluara”, – vuri në dukje Presidenti i Republikës.
“Besoj se gjatë këtij viti kemi bërë shumë seanca dhurimi në të gjithë vendin. Do të vazhdojmë akoma më tej. E rëndësishme është të angazhojmë sa më shumë të rinj sepse edhe cilësia e gjakut është shumë e rëndësishme.
Thelbësore në këtë proces është edhe parandalimi i sëmundjes së talasemisë, që mund dhe duhet të minimizohet nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi efikase”, – theksoi Presidenti Meta.-balkanweb