Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, nuk i ka punët mirë me shëndetin thonë mediat serbe e ato në Kosovë. Kreu i shtetit serb ka anuluar takimet e sotme me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Beograd.
Lajmin e njoftoi këshilltarja e tij për mediat, Suzana Vasiljevic.
“Presidenti nuk është me shëndet të mirë. Kryetarja e Komisionit Europian Ursula Von Der leyen pritet të mbërrijë, paskësaj duhet të jemi në Nish ku do të shënojmë fillimin e punës në korridorin e ri hekurudhor e ndërkohë janë dhe problemet e përditëshme në Koësovë; kështu që iu desh të pushonte pak. Për këtë arsye, mjekët i sugjeruan një pauzë”, ka thënë Vasiljevic.
E pyetur nëse ka vend për shqetësim, ajo tha se shpreson që gjithçka të jetë në rregull. Këshilltarja këmbënguli se është vetëm çështje lodhjeje. Sipas Vasiljevicit, takimet e planifikuara për të martën me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës janë shtyrë për të mërkurën.
Është anuluar sakaq edhe fjalimi i paralajmëruar i Vuçicit në konferencën dy -ditore “Ballkani Perëndimor, një rajon, një treg – një hap drejt tregut të përbashkët të BE-së” në Novi Sad, ku duhej të merrnin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev..