Prestigjiozja irlandeze “The Irish Times” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit shqiptar, në të cilin theksohet ndryshimi që është bërë në Tiranë, sidomos vitet e fundit.
“The Irish Times” shkruan për një sërë ndryshimesh të bëra në kryeqytet, duke filluar nga shtëpia e Ismail Kadaresë e cila është kthyer tashmë në një muze, e deri te Piramida që së shpejti do të shndërrohet në një qendër inovacioni.
Shtëpia ku Ismail Kadare jetonte para se të zhvendosej në Paris në vitin 1990, është një muze që duan ta shohin të gjithë. E njëjta gjë është bërë edhe me Shtëpinë e Gjetheve, e cila është e vendosur në qendër të Tiranës. Ajo u ndërtua në vitin 1931 dhe fillimisht funksiononte si klinikë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore “Shtëpia e gjetheve” u përdor nga Sigurimi i Shtetit për hetime, e sot është një muze ku gjithsecili mund të shuajë kuriozitetin e tij.
Ndërsa dy bunkerë, që Enver Hoxha i ndërtoi për t’u mbrojtur nga pushtuesit, tani janë shndërruar në muze e galeri.
Piramida prej betoni dhe xhami, që u ndërtua me synimin për të qenë një muze për Enver Hoxhën, do të shndërrohet në një qendër inovacioni dhe teknologjie, ku të gjithë, nga më të vegjlit, te më të rriturit do të kenë mundësinë të trajnohen në këtë fushë.
“E nëse sheh ish-Bllokun sot, një zonë që më parë ishte e bllokuar pasi në të jetonte Hoxha dhe aleatët e tij, tani është plot me bare e kafene. Madje kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka thënë se një pjesë e vilës së Enver Hoxhës e cila ndodhet në këtë zonë, së shpejti do të shndërrohet në shtëpinë e artistëve”./atsh