Një 70-vjeçar nga Berati mësohet se ka gjetur vdekjen dy ditë më parë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ishte nisur me urgjencë nga Spitali Rajonal i Beratit.
70-vjeçari Pëllumb Dollani, banues në lagjen “30-Vjetori” në Berat vijonte punën e tij si murator, edhe pse në moshën e tretë.
Gjatë një pune private në në banesë në periferi të qytetit, ai ka prerë aksidentalisht këmbën me troko dhe është transportuar fillimisht drejt spitalit të Beratit dhe më pas drejt Spitalit të Traumës, për shkak të gjakderdhjes.
Edhe pse DVP Berat nuk dha asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë ngjarje aksidentale, mësohet se Dollani gjeti vdekjen sapo mbërriti në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërkohë qe dje bashkëshortja dhe 4 fëmijët e tij e kanë përcjellë atë për në banesën e fundit.