Qytetarët e Kosovës edhe këtë vit sikurse viteve të mëparshme do të përballen me ndotjen e madhe të ajrit që do t’i kushtojë me shëndet.
Ky problem vazhdon të mos ketë zgjidhje institucionale dhe ka filluar tashmë të bëhet ngarkesë për qytetarët e Kosovës, e sidomos ata të kryeqytetit të cilët janë më të prekurit nga ndotja e ajrit.
Sipas matjeve të bëra ditët e fundit nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, cilësia e ajrit ka arritur deri në 174 pmm, gjë që është e pashëndetshme dhe e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.
Lidhur me këtë Ministria e Mjedisit thotë se problem i ndotjes së ajrit është problem i shtresuar që nga pas lufta.
Leutrim Sahiti, këshilltar i ministrit Fatmir Matoshi, ka thënë për lajmi.net se më qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit në vend, ka ndërmarrë dhe po ndërmerr një serë veprimesh duke përfshirë në rend të parë plotësimin e kornizës ligjore.
“Me inicimin e MMPH-së, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar planin e veprimit për reduktimin e ndotjes së ajrit si dhe tani kemi në kuvend për miratim ligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Gjithashtu me propozimin tonë Qeveria e Kosovës ka krijuar task forcën ndërministrore për trajtimin e problemeve të ndotjes së ajrit. Nën udhëheqjen e koordinatorit të task forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është mbajtur takimi i radhës i Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”, ka thënë Sahiti.
Sipas tij, pas kërkesës së MMPH-së MZHE ka marrë vendim për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtoret e ndërmarrjes Korporata Energjetike e Kosovës.
Ai po ashtu ka thënë se Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë angazhimin në zbatimin e udhëzimit për kontrollimin e gazrave të veturave.
“Me rastin e kontrollimit teknik të automjeteve si dhe fillimin e vendosjes së pullave ambientale nga janari i vitit 2019 ndërsa Policia e Kosovës do të asistojë Inspektoret e Komisionit për Miniera dhe Minerale për ndalimin e eksploatimit dhe shitjes së thëngjillit siç parashihet edhe me ligjin për miniera. Ministria e Shëndetësisë do të punojë në informimin e qytetarëve për pasojat e përdorimit të thëngjillit për ngrohje dhe rëndësinë e mbrojtjes se ajrit nga ndotja”.
“Problemi i ndotjes së ajrit është problem i shtresuar që nga pas lufta dhe nuk pritet që të kemi rezultate të shpejta sepse varet nga disa ministri se sa shpejtë arrijnë që të përmbushin obligimet e tyre ligjore në fushën e mbrojtjes së ajrit”, ka thënë Sahiti.
Edhe Instituti Kombëtarë për Shëndetësinë Publike, ka reaguar gjatë këtyre ditëve rreth ndotjes së ajrit.
Drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani, u ka kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos hapin dritaret.
“Qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave”, ka shkruar ai.
Kujtojmë, që vitin e kaluar Prishtina është ranguar e para, si qyteti më i ndotur në botë. /Lajmi.net/