Prodhimet “Made in Albania” prekin tregjet perëndimore

Prodhimet shqiptare të certifikuara si për nga cilësia, ashtu edhe nga siguria sipas standardeve ndërkombëtare, po depërtojnë edhe në tregjet perëndimore.

Një prej produkteve që sapo ka nisur marketimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ai “Gjirofarma”, i mirënjohur në tregun shqiptar.

Kompania, që e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 2005, pas investimit për modernizimin e teknologjisë së përpunimit të nënprodukteve të qumështit, me mbështetjen financiare nga AZHBR prej 9.3 milionë lekësh, ka arritur të eksportojë djathin “Made in Albania” në SHBA, ku sasia e parë e certifikuar për cilësi nga autoritetet amerikane ishte 13 tonë.

Kryeministri Edi Rama vizitoi fabrikën në Dropull të Gjirokastrës, ku u njoh nga afër me rritjen progresive, sidomos gjatë 3 viteve të fundit, të volumit të shitjeve në treg të kompanisë “Gjirofarma”.

“Për herë të parë një produkt “Made in Albania” me bazë shtazore shkon në një treg perëndimor,” thekson Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi.

“Të gjitha këto makineri janë dhe me kontributin e AZHBR-së. Ishte hera e parë që ne bashkëpunojmë me AZHBR-në. Gjetëm jo vetëm mirëkuptim, por dhe bashkëpunim. Ka ndihmuar shumë. Skemat mbështetëse janë vërtet ndihmesë në këtë proces,” pohon sipërmarrësi.

“Gjirofarma” ka aktualisht të punësuar 75 punonjës me kohë të plotë e shumë të tjerë sezonale, por me investimin e ri kompania parashikon që të rrisë kapacitet me punonjës të rinj.

“Në 3-4 vitet e fundit është rritur edhe prodhimi, edhe punësimi. Kompania aktualisht ka mbi 75 punonjës. Do të rriten akoma më tepër, të paktën 15-20 të tjerë. I paguajmë më mirë se në kompanitë e tjera. Ky është një ndër faktorët që ne na mban në treg,” shprehet më tej ai.

Për grumbullimin e qumështit kompania bashkëpunon me 400 fermerë lokalë në rrethin e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit. Por sfida e radhës e këtij sipërmarrësi është tregu i mishit dhe i nënprodukteve të tij.

“Plani konkretisht është që të punohet për mishin e freskët dhe me nënprodukte mishi, të ambalazhojmë dhe të paketojmë këtu,” shprehet drejtuesi i kompanisë.

“Do ishte mirë sikur të planifikonit dhe një thertore moderne. Ne kemi bërë goxha luftë për të ndaluar therjet barbare, mirëpo rrjeti i thertoreve moderne është akoma i brishtë, kështu që për thertoren mund të merrni një mbështetje nga qeveria,” shprehet Kryeministri Rama./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/490382678161355/?t=0

Loading...