Profesionistët e rinj shqiptarë pjesë e Administratës Publike do të ketë mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre për të tretin vit radhazi në sajë të programit, Skema e BE-së për Profesionistët e Rinj në Ballkanin Perëndimor.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca i pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e zyrave të BE-së në Tiranë tha se profesionistë të tillë i duhen Shqipërisë drejt rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Është e rëndësishme që të ndërtojmë një grup profesionistësh shumë të kualifikuar që do të zhvillojnë dimensione të reja dhe pastaj do t’i sjellin përsëri njohuritë në Shqipëri. Ne kemi nevojë për ju si profesionistë në udhën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Ju do të jeni “ambasadorë” të Shqipërisë në BE”, tha ambasadori i BE-së Luigi Soreca.
Ani, Elkana, Ina, Kestrina dhe Oljani, së bashku me kolegë nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, do të marrin pjesë në 2 trajnime intensive në Institutin e Studimeve Politike në Paris dhe në Kolegjin e Europës në Bryzh./atsh