Prokuroria çon në Gjykatë dosjen e Saimir Tahirit

Thirrjet e Saimir Tahirit kanë qënë të vazhdueshme, por me sa duket i ka dëgjuar organi i akuzës. Gazetarja Klodjana Lala raporton për “BalkanWeb” se Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet lidhur me akuzat për përfshirje në trafikun e drogës me bandën ‘Habilaj’ dhe ka dërguar sot për gjykim dosjen penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ish zyrtari i lartë është thirrur për t’u paraqitur nesër me 28 shkurt ora 13:00 për t’u njohur me akuzat zyrtare të Prokurorisë. Pritet që të ketë edhe një deklaratë nga vetë ai, për atë që e ka cilësuar si “beteja e jetës”.

Gjithashtu të pandehur mësohet se do të jenë edhe 3 ish-zyrtarët e lartë të policisë së Vlorës Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, në arrati prej 1 viti e gjysëm.

Më 11 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të pranojë kërkesën e tij për mos zgjatejn më të hetimeve, duke iu lënë prokurorëve afat të përfundonin hetimet deri më datë 10 mars. Por me sa duket hetimet janë mbyllur më herët

Më 17 Janar të këtij viti, organi i akuzës njoftoi se do të zgjasë edhe me tre muaj afatet e hetimit. Shkak për zgjatjen e hetimeve është bërë letër-porosia që autoritetet shqiptare i kanë dërguar Malit të Zi dhe Katanias. Përgjigja me sa duket ka ardhur dhe dosja është dërguar për gjykim.

Hetimet për ish-ministrin e Brendshëm nisën nga prokuroria e Catania-s, që e akuzoi për trafik droge mbi bazën e përgjimeve të grupit të trafikantëve Habilaj, kushërinj të largët me Tahirin. Në përgjime flitej për 30 mijë euro që grupi Habilaj kishte për ti dhënë një personi me emrin Saimir si dhe bizhuteri dhuratë bashkëshortes së tij. Por, pas hetimeve prej më shumë se një viti prokuroria italiane nuk gjeti prova që implikojnë ish-ministrin shqiptar duke kërkuar mbylljen e çështjes.

(BalkanWeb)

Loading...