Prokuroria e Vlorës e ka dërguar sërish të pandehur në gjykatë Shpëtim Gjikën!

Jo shumë larg zgjedhjeve lokale në vend, ish-kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, i hapen sërish probleme me drejtësinë.

Prokuroria e Vlorës e ka dërguar sërish të pandehur në gjykatë Shpëtim Gjikën për dyshimet se ai ka shpërdoruar detyrën gjatë kohës që mbante detyrën e kryebashkiakut.

Siç dyshon prokuroria, Gjika bashkë me 7 punonjës të tjerë kanë shkelur ligjin gjatë dhënies me koncension për parkimet me pagesë në 24 rrugë në qytetin e Vlorës.

Siç parashikohej në kontratë, duke nisur që nga 2015, për 15 vitet e ardhshme qytetarët duhet të paguanin 50 lekë për çdo orë parkimi, ndërsa bashkia do të merrte 10 milionë lekë për çdo vit nga kompania private.

Dhënia me koncension një firme që kishte adresën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u miratua me unanimitet nga Këshilli Bashkiak, por i menjëhershëm ishte reagimi i qytetarëve, të cilët kundërshtuan hapur bllokimin e automjeteve të tyre, duke sjellë tërheqjen e kompanisë, e cila ka paditur Bashkinë e Vlorës në Gjykatën e Arbitrazhit.

Prokuroria dyshon se përfshirja në kontratë e detyrimit të Bashkisë së Vlorës për t’i paguar kompanisë së paku 20 milionë dollarë në rast të ndërprerjes së kontratës ka shkaktuar dëm ekonomik.

Por, ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, i pyetur nga prokurorët për këtë fakt, i ka hedhur poshtë qëndrimet e akuzës, pasi, sipas tij, nuk ka vepër penale përsa kohë nuk ka dëm ekonomik.

Loading...