Prokuroria jep vendimin për policin Nevaldo Hajdaraj, Rasha u vra me dashje

TIRANË – Prokuroria e Tiranës ka konkretizuar akuzën për efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj i cili vrau Klodjan Rashën në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor. “Vrasje me dashje” ka vendosur organi i akuzës për policin i cili rrezikon deri në 20 vite burg. Ndërkohë më parë akuza që rëndonte mbi Hajdarajn ishte ajo e “tejkalimit të kushteve të vetëmbrojtjes” me anë të së cilës rrezikonte vetëm 7 vite burg.

Prokuroria ka siguruar dhe ka sekuestruar pamjet filmike të subjekteve përreth vendit të ngjarjes të cilat japin një tablo më të qartë të dinamikës së saj. Prokuroria bën me dije se efektivi, Nevaldo Hajdaraj ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë drejt Klodian Rashës, njësoj siç ka qenë dhe në dëshminë e efektivit.
Sipas organit të akuzës, Hajdaraj ka shënjestruar drejt trupit të viktimës ndërkohë që në dëshminë e tij tha se kishte shënjestruar këmbët. Në filmimet që ka siguruar Prokuroria rezulton se polici e ka qëlluar 2 herë Rashën me armën e shërbimit teksa ky i fundit ishte duke u larguar me vrap në drejtim të rrugicës që të çon drejt banesës së tij.
Ndërkohë për armën e gjetur në vendngjarje, e zhytur në një pellg me ujë nuk është identifikuar ende teksa prokuroria njofton se ka administruar aktin e ekspertimit balistik të pistoletës. Arma vijon të mbetet mister se kujt personi i perkët dhe në çfarë rrethanash doli 80 metra larg vendit të vrasjes së Rashës.

Ndërkohë ditën e djeshme, Prokuroria e Tiranës ka dhënë detaje nga vrasja e Klodjan Rashës duke thënë se ai nuk është dhunuar ashtu siç pretendohej. Gjithashtu organi i akuzës njofton se do të bëhet analiza e plotë e armës së gjetur në vendngjarje dhe rrethanave se si është gjetur kjo armë teksa nuk bëhet ende e ditur se kujt i përket.

Klodian Rasha u vra në ngjarjen tragjike të mëngjesit të datës 8 dhjetor, kur 25 vjeçari është qëlluar për vdekje me armë nga polici Nevaldo Hajdaraj. Ngjarja e rëndë solli reagime dhe protesta të shumta, të cilat degjeneruan në dhunë dhe shkatërrime në Tiranë dhe qytetet të tjera të vendit.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje dha dorëheqjen ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Ndërkohë, që një ditë më parë, qeveria mori vendimin duke i siguruar 61 mijë lekë pension mujor.

Loading...