Prokuroria nis hetimet për Marsida Qatjen

Prokuroria e Kavajës më në fund ka marrë nën hetim Marsida Qatjan, 30-vjeçarja në banesën e së cilës në datë 9 tetor pas shkëmbimit të armëve të zjarrit mbeti i vrarë 41vjeçari Dritan Haxholli dhe u plagos Drejtori i sigurisë së Burgut të Durrësit 36-vjeçari Bledar Toçi.

Sipas burimeve nga prokuroria, Qatja do të hetohet për akuzën e përdorimit të substancave narkotike. Vetë Qatja është shprehur gjatë rimarrjes në pyetje për herë të dytë nga prokurorët e çështjes se ka përdorur kokainë së bashku me dy persona të tjerë në banesë.

Deklarata e dytë e Marsida Qatjas përpara prokurorëve se ajo ka konsumuar substanca narkotike mbrëmjen e 9 tetorit, u hodh poshtë nga vetë ajo një ditë më parë në një tjetër dalje për mediat, këtë herë duke u mbështetur edhe në rezultatet e testit të kryer për përdorimin ose jo të substancave të ndaluara.

Kanë qenë pikërisht rezultatet negative të testit ato që kanë nxitur Prokurorinë e Kavajës të nisë një hetim në mungesë për Qatjan, pasi ajo nuk është person i ndaluar apo arrestuar.

Sipas të njëjta burimeve, mësohet se masa e sigurisë për Qatjan pritet të jepet ditën e nesërme. Ngjarja e rëndë me një viktimë dhe një të plagosur tronditi opinionin publik në Shqipëri, ndërsa e gjithë skena hor-horr ndodhi në prani të një fëmije vetëm 2 vjeç.

Loading...