“Lëndina e arushëve”, libri më i ri për fëmijë është promovuar këto ditë në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë. Aktiviteti ishte konceptuar si një festë për fëmijët dhe prindërit e tyre. “Lëndina e arushëve” u realizuar nga fëmijët e qendrës kulturore “Edukojmë me art” nën drejtimin e regjisores Alma Hoti.
Fëmijë e prindër, artistë e psikologë, aktivistë mjedisorë morën pjesë në promovimin e librit të ri të Rovena Rrozhanit. Libri hyn në konkurrim në Panairin e 21-të të Librit që mbahet në nëntor.
“Jam e kënaqur që shtëpia botuese ka një autore të re të librit shqip. Prej shumë kohësh letërsisë për fëmijë i mungojnë krijuesit dhe më së shumti botohet letërsi e përkthyer. “Lëndina e arushëve” është një dhuratë e veçantë për fëmijët. E shoqëruar me ilustrime të bukura nga Borena dhe cilësi botimi, Rovena pasuron bibliotekën e librit shqip për fëmijë”- tha botuesja e “Mediaprint”, Anila Bisha, e cila shtoi se “shtëpia botuese e ka propozuar si titull për konkurrimin e librit për fëmijë në Panairin e 21-të të Librit. Shpresoj shumë dhe besoj se do të vlerësohet nga kritika dhe lexuesi”.
Autorja e librit, Rovena Rrozhani u shpreh se ky libër frymëzohet nga realiteti dhe i fton fëmijë e të rritur që të përshkojnë “të njëjtin rrugëtim” që ajo bëri gjatë shkrimit të “Lëndinës së arushëve” duke rigjetur lidhjen e njerëzve me natyrën dhe elementet e saj. /atsh