Protesta – 800 forca policie para Parlamentit

Opozita e bashkuar proteston sot sërish kundër qeverisë. Protesta është parashikuar të nisë rreth orës 10:00 në të njëjtën kohë kur Kuvendi mblidhet në seancë plenare. Madje pas vendosjes së datës dhe orës së seancës plenare u vendos edhe orari i protestës.

Kjo është e katërta protestë e opozitës që prej 16 shkurtit. E para pati konfrontime dhe tentativë për të hyrë në Kryeministri, ku u thyen xhamat e dyerve dhe u përdor masivisht gazi lotsjellës nga ana e policisë. Protesta e dytë u zhvillua paqësore dhe kulmoi me dorëzimin e dorëheqjeve nga mandati në Kryesinë e Kuvendit.

Protesta e tretë u zhvillua një javë më parë, më 26 shkurt ku sërish pati situatë të tensionuar dhe gaz lotsjellës nga ana e forcave të rendit, raporton “BalkanWeb”.

Ora 08:30- Rreth 800 forca policie janë vendosur para Kuvendit

Policia ka nisur planin e masave për protestën. Rreth 800 forca të uniformave blu nga rendi, Shqiponja, FNSH dhe Garda e Republikës janë vendosur tek Kuvendi. Për të shmangur çdo incident në hyrjen e deputeteve, hyrja e Pedonales është e bllokuar me skela për të penguar çdo tentativë të protestuesve. Pas pengesës metalike të krijuar do të vendosen edhe punonjës policie para Kuvendit.

Ndërkohë dje gjatë mbledhjes së grupit të PS, kryeministri Edi Rama tha se nuk do ketë skena si të javës së shkuar para parlamentit. Gjithashtu edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka thënë gjatë mbledhjes së grupit të PS se policia do të garantojë sigurinë e deputetëve gjatë seancës së sotme.

Deputetët e PS i kanë kërkuar Ministrisë së Brendshme të garantojë sigurinë fizike të tyre, nisur nga e marta e kaluar më 26 shkurt, teksa disa deputetë u sulmuan nga protestuesit.

Deputetëve të mazhorancës u është dhënë urdhër qe të jenë prezent në seancë në orën 09:30. Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare në orën 10:00, kohë kur do të nisë edhe protesta.

Ndërkohë dje “BalkanWeb” publikoi edhe korrespodencën mes Policisë dhe Partisë Demokratike për çështjen e protestës. Policia e Shtetit nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike të zhvillojë protestë sot para parlamentit. Sipas dokumentit të firmosur nga Drejtori i Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj, thuhet se tubimi pengon hyrjen në Kuvend të deputetëve dhe vë në rrezik jetën e deputetëve e ministrave. Po kështu sipas policisë, protesta cenon sigurinë kombëtare.

Nga ana tjetër PD akuzon policinë se po shkel Kushtetutën dhe se në asnjë prej protestave të zhvilluara nuk janë dëmtuar policë. PD deklaron se protesta do të zhvillohet edhe pa leje nga policia.

Por protestat e njëpasnjëshme të opozitës e kanë detyruar Policinë e Shtetit që të vendosë në gatishmëri një numër punonjësish policie, pasi bëhet fjalë për ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë.

Policia pritet që të angazhojë sot pothuajse të njëjtin numër punonjësish të rendit, Shqiponjat, FNSH si edhe Gardën e Republikës, por në ndryshim nga herët e tjera po sheh mundësinë që për të rritur sigurinë e deputetëve dhe parlamentit, të krijojë një kordon me skela përgjatë oborrit.

Policia ka informacion se një pjesë e protestuesve kanë marrë masat për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës. Në rast se kjo formë nuk do të funksionojë për të shpërndarë turmën atëherë në veprim do të hyjnë autobotet të cilët mund të hedhin ujë me presion deri në 100 metra.

Sipas protokollit, autobotet do të përdorin ujë me ngjyrues për të bërë të mundur identifikimin e protestuesve që tentojnë të cenojnë institucionin. Në vende të caktuara në sheshin para Parlamentit, janë vendosur edhe kamera me rezolucion të lartë për të regjistruar e më pas evidentuar çdo person që do të tentojë sulmin ndaj institucionit të Parlamentit.

(BalkanWeb)

Loading...