Protesta kundër rritjes së çmimeve në vend/ Aktori Florian Binaj: Ejani këtu, mos u merrni me klikime në Instagram!

Qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të hënë para Kryeministrisë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve në vend.

Protestuesit kanë marshuar me çadra, ndërsa shihet një pjesëmarrje e e ulët e qytetarëve, pasi moti me shi nuk i ka favorizuar.

Ajo që bie në sy gjatë kësaj proteste, është fakti se ata kanë zgjedhur të marrin me vete tenxhere dhe lugë si një simbol i rritjes së çmimeve të produkteve të gatimit.

“Ulni çmimet, ulni taksat”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve, ndërkohë kjo është protesta e dytë radhazi që mbahet kundër rritjes së çmimeve së fundmi në vendin tonë.

I pranishëm në protestën e sotme është aktori Florian Binaj, i cili mori pjesë edhe në protestën e kaluar.

“Kemi dalë për të ngritur zërin dhe për ata që nuk kanë mundësi, të gjithë preken, u bëj thirrje të gjithë të rinjve të marrin pjesë sa rrinë merren me klikimet në instagram. Ta bëjnë për vete, për prindërit dhe për të ardhmen”, u shpreh Binaj.

“Kryeministri tha se nuk do të rriten çmimet për familjarët dhe biznesin e vogël, por nuk tha asgjë për ato që janë rritur”, tha një protestues.

Loading...