Presidenti Meta reagon për protestën e banorëve të Unazës së Re para Kuvendit të Shqipërisë
Meta po ndjek me shqetësim dhe vëmendje zhvillimet e protestës së zhvilluar sot para Kuvendit të Shqipërisë nga qytetarët e prekur nga projekti i ndërtimit të Unazës së Re në Tiranë.
Meta shpreh keqardhjen më të thellë për aktet e dhunshme të shfaqur gjatë kësaj proteste dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të shmangin çdo përplasje dhe të vendosin sa më parë një dialog institucional në mënyrë që ankesat e banorëve të shqyrtohen duke i dhënë një zgjidhje kësaj situate.
Pasi u njoh me raportimet, se disa efektivë të Policisë së Shtetit dhe protestues paqësorë janë lënduar sot para Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen më të thellë dhe u uron shërim sa më të shpejtë.
Meta dënon aktet e dhunshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve të distancohen menjëherë nga dhuna dhe të bëjnë maksimumin për të shmangur konfliktin dhe gjuhën së forcës së përdorur në këtë çështje.
Presidenti Meta gjen rastin t’u bëj apel sërish institucioneve shtetërore të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore dhe kërkon urgjentisht rivendosjen e dialogut me banorët e prekur nga ky projekt për të gjetur një zgjidhje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik.
Gjithashtu, Meta i bën thirrje politikës të tregohet e kujdesshme dhe të japë mesazhe bashkëpunimi e dialogu, ndërkohë që nxitësit e dhunës duhet të izolohen.