Protestat – Ndikim negativ në turizëm, anulohen rezervimet

Shqipëria ka dyfishuar numrin e turistëve nga 3 milionë në 6 milionë gjatë vitit të kaluar, por pas protestave të opozitës kemi pasur po ashtu anulime të rezervimeve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke folur për ndikimin negativ që krijon veprimi i opozitës në imazhin e vendit.

Në Samitin e Diasporës, Kryeministri Edi Rama foli për ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri dhe reformat në shtetbërje, por edhe për ndikimin e protestave të opozitës në zhvillimin e vendit.

“Kur në ekran shohin një grup shqiptarësh që turren me kokë pas mureve të kryeministrisë, ajo që më shqetëson është se çfarë ndodh në mendjen e gjithë atyre që ato imazhe i shohin në telefon në gjithë globin. Çfarë ndodh me ata që ju pakësohen konsumatorët. Me atë familje që ka një dyqan lulesh dhe nuk shet dot asnjë tufë me lule, siç më pohoi një grua se që nga 16 shkurti nuk kishte shitur dot asnjë tufë me lule”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se këto imazhe cënojnë ata që përgatiten të hapin bujtinat dhe shtëpitë për turistët. “Për Gjirokastrën ky vit kishte me prenotimet më të mëdha dhe ishte i mbuluar me rezervime nga marsi në shtator. Papritur në 17 shkurt anulohen të gjitha prenotimet e marsit. Familje të tëra mbeten pa ekonomi”, tha Rama, duke shtuar se “kjo është ajo që shqiptarët i bëjnë shqiptarëve kur humbasin kthjelltësinë e mendimit”.

Duke folur për reformën në drejtësi, Rama u shpreh se “ne sot po flasim për luftën më të madhe, më të vërtetë dhe më të vështirë që i është hapur ndonjëherë korrupsionit në Shqipëri”.

Kjo sipas tij, “bëhet duke ndërtuar drejtësie që i bëhet korrupsionit armik i betuar dhe e ndjek atë këmba-këmbës”.

“Gjykatësit dhe prokurorët në Shqipëri, ata që kanë mbajtur drejtësinë si pronë private dhe kanë shkelur të drejtat e shqiptarëve, ka ardhur dita që të japin llogari. Shumë prej tyre janë jashtë sistemit dhe procesi nuk ka mbaruar por po pastrohet llumi nga pallati i drejtësisë. Asnjë shqiptar nuk do të ketë paqe deri në ditën kur do të shohë politikanët, vendimmarrësit dhe ata që kanë bërë të këqija që të paraqiten para drejtësisë”, tha Rama.

Ndërsa lidhur me luftën kundër trafikut të drogës, kreu i qeverisë u shpreh se për këto rezultate flasin agjencitë e specializuara ndërkombëtare. “Ka ndodhur çrrënjosja e të gjithë plantacioneve të kanabisit që nuk erdhën me mua por i gjetëm aty dhe i luftuam duke i vendosur në rendin e ditës. Lazarati ka qenë aty, dhe ishte fusha e parë e betejës sonë”, shtoi Rama.

Duke folur për situatën ekonomike, Rama tha se Shqipëria sot ka dyfishuar eksportet. /atsh/

Loading...