Një tjetër protestë është paralajmëruar nga qytetarët ditën e sotme, në shenjë kundërshtie për rritjen e çmimeve. Ashtu siç është njoftuar dhe në rrjetet sociale, tubimi në kryeqytet pritet të nisë në orën 11:00, ku qytetarët do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Kjo është protesta e 4 kombëtare, teksa pritet që qytetarë nga i gjithë vendi të marrin pjesë. Prej të mërkurës qytetarët kanë dalë në protesta nga Veriu në Jug, për rritjen e çmimit të karburantit, por edhe rritjes së çmimit të të gjitha produkteve ushqimore dhe taksave.
Protesta nisi në Shkodër, ku shoferët bllokuan lëvizjen në urën mbi Bunë, më pas në Tiranë, para Kryeministrisë, ndërsa u përhap dhe në rrethe të tjera, si Lushnjë, Devoll, Korçë, Mirditë, Laç, Berat, Tepelenë, etj. Një numër i madh forcash policie është planifikuar të jenë sot në terren për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Policia iu ka bërë thirrje protestuesve të mos bllokojnë rrugët.
Kryeministri Rama pati një reagim pas ditës së parë të protestës dhe njoftoi ngritjen e Bordit të Administrimit të karburantit, çka pasoi me uljen e ndjeshme të çmimit të karburantit, i cili ishte ngritur prej disa ditësh me lëvizje të ndryshme, me raste dhe dy herë brenda ditës. Ndërkohë dje, Rama tha se ata që protestojnë nuk janë popull, por po e njëjta pakicë e zhurmshme në kërkim të rrëmujës!
“Për kë e njeh dorën e nongratave të shpallur e të pashpallur, këto protesta janë një përpjekje e ulët e te të njëjtave hije të së shkuarës, për të manipuluar njerëzit duke hedhur gurin e fshehur dorën! Ky nuk është populli, po e njëjta pakicë e zhurmshme në kërkim të rrëmujës!”, shkroi Rama.
Nga ana tjetër Presidenti i Republikës Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë të dëshmojë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e të gjitha çështjeve që po shqetësojnë me të drejtë qytetarët dhe i tërhoqi vëmendjen policisë për t’u distancuar nga dhuna. Protestat janë mbështetur dhe nga opozita.