PS ka hapur fushatën elektorale me sloganin – Rama ik,përpara!

Me nje slogan te hauzuar ironikisht nga protestat e opozites, Rama ik, Perpara, PS ka hapur fushaten elektorale ne Tirane.

“Kush gënjehet nga vetëpërmbajtja jonë, duhet ta dijë se po luan me zjarrin. Ne nuk duam të shikojmë askënd prapa hekurave për shkak të një plaku të marrë.

Një individi që dënohet për krime zgjedhore do t’i ndalohet hyrja në BE dhe SHBA. Për këtë pyesni më mirë atë plakun”.

Kryeministri Rama ka mbajtur fjalën kryesore në çeljen e fushatës zgjedhore për Lokalet 2019, të zhvilluar me një manifestim madhështor në “Parkun Olimpik” të Tiranës pasditen e kësaj të shtune.

“Unë s’jam më i miri, s’jam i pagabueshëm. Bëj sa mundem dhe jo sa dua, e jo gjithmonë arrij të bëj aq mirë sa dua atë që mundem.

Por sot dua t’iu them, duke iu parë në sy: po të ishte thjesht çështje personale, do e kisha lënë prej kohësh, duke mos mbajtur mbi vete rrebeshin e akuzave dhe baltës. Nuk do të kisha guxuar të dëmtoja familjen time, jam pasionant, por kurrë materialist dhe kurrë kriminel”, tha Rama në mesazhin drejtuar të gjithë shqiptarëve.

“Sot nis maratona jonë 30-ditore për zgjedhjet e 30 qershorit dhe konfirmimin e Partisë Socialiste dhe kandidatëve tanë, si forca e padiskutueshme udhëheqëse e ndryshimit dhe zhvillimit në çdo bashki të Shqipërisë. Sot nis maratona 30-ditore për një betejë politike më të qartë se asnjëherë më parë mes të shkuarës dhe së ardhmes, mes nesh që duam një vend demokratik dhe atyre që duan vetëm pushtet përmes dhunimit të demokracisë”, tha Rama në nisjen e fjalës së tij.

Duke përmendur 1 qershorin, festën e fëmijëve, Rama tha se ardhmërinë duan ta ndërtojnë për ta.

“1 qershori është dita e fëmijëve dhe ardhmërisë që duam të ndërtojmë për ta, duke bërë reforma që askush më parë nuk mund t’i imagjinonte. Ky është detyrimi ynë për fëmijët tanë. Edhe këto zgjedhje, të braktisura nga kundërshtarët politikë, janë pjesë e ardhmërisë. Ata kanë frikë nga gjykimi i popullit në zgjedhje, prandaj kërcënojnë rrugëve se s’do ta lejojnë popullin të zgjedhë. Prandaj përbetohen rrugë se do të na imponojnë një përplasje antidemokratike”, deklaroi kryeministri.

Sipas tij, ata që mendojnë se do t’i pengojnë shqiptarët, duhet të mendojnë dy herë përpara se të marrin përgjigjen e duhur ligjore. Sa i përket zgjedhjeve, nëse janë një proces demokratik apo antidemokratik, Rama u shpreh:

“Zgjedhjet pa opozitën kryesore janë antidemokratike vetëm nëse ajo pengohet të hyjë në zgjedhje, por kur ajo zgjedh të vetëpërjashtohet, atëherë s’ka asgjë antidemokratike. Mendojeni vet se çfarë zgjedhjesh do të ketë në këtë vend, nëse ato bëhen prè e tekave të partive politike. Çfarë çorapi do të bëhet jeta jonë politike nesër, nëse i hapim rrugë djegies së mandateve dhe dhunës kundër institucioneve, vetëm për të dalë kundër parimit themelor të demokracisë, që është vota. Nëse sot do të fitonte politika e pengmarrjes për të përmbysur qeverinë dhe zgjedhur për të imponuar një qeveri sipas tekave të tyre për zgjedhje të parakohshme, do të ishte një rast unik në botë. Por kjo s’ka për të ndodhur”.

Në fund, Rama bëri krahasimin mes opozitës së “shkatërrimit” dhe qeverisë së “ndërtimit”.

“Ata kanë të drejtën e tyre ta luftojnë qeverinë. Ata kanë të gjithë të drejtën të ulërasin kundër çdo gjëje që bën qeveria, madje edhe të na shajnë e të na mallkojnë. Është e drejta e tyre për të sabotuar çeljen e negociatave me Bashkimin Europian për qytetarët shqiptar. Por ata ta harrojnë se kanë në dorë gjë tjetër, veçse të bëjnë vetëvrasje politike, t’i bien murit me kokë dhe të nxijnë fytyrën e Shqipërisë në botë. Ata kanë një problem: janë shumë pak.

Ne kemi avantazhin se jemi shumë. Ata janë dembelë dhe të paaftë për të drejtuar, ndërsa ne jemi punëtorë dhe të përkushtuar për të qenë në drejtim.

Ata janë frikacakë dhe të alarmuar nga Reforma në Drejtësi, ndërsa ne jemi guximtarë dhe të vendosur ta bëjmë këtë vend, shtet ku drejtësia është një për të gjithë dhe të gjithë janë të barabartë përpara drejtësisë.

Ata janë në panik dhe prandaj i drejtohen dhunës, ne jemi në të drejtën tonë dhe prandaj u drejtohemi shqiptarëve. Ata janë të verbuar nga dëshpërimi, ndërsa ne jemi zgjedhur të udhëheqim dhe do të ecim vetëm drejt, përpara. Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne, ky vend nuk ka parë”, tha Rama.

Rama nuk harroi të jepte edhe një mesazh për ata që thonë se Partia Socialiste garon e vetme në këto zgjedhje lokale.

“Ne do të garojmë dhe fitojmë në të gjitha ato bashki ku kemi kandidatë rivalë, por edhe aty ku nuk kemi një personazh fizik përballë. Kjo, pasi edhe në ato bashki ku nuk ka dalë dikush të sfidojë kandidatët e Partisë Socialiste, kemi po të njëjtin kundërshtar: fantazmën e së shkuarës që është drejt grahmave të fundit, por që nuk po heq ende dorë”.

Loading...