Indiferentët, kritikët, moralistët, sociologët (në përgjithësi ata që nuk bëjnë asgjë) vihen në garë për të kundërshtuar “mënyrën sesi donatorët po marrin protagonizëm”, “mungesën e respektit ndaj dinjitetit njerëzor të të varfrit”, “përdorimin e viktimave të fatkeqësisë për publicitet personal” e gjepura të tilla.
Zilia njerëzore bashkohet e bëhet njësh për t’iu kundërvënë përpjekjes për të bërë mirë dhe ia arrin me mjaft efikasitet. Puritanët e moralit, ulen në kafene, përpara laptopit dhe japin receta sesi duhet të bëhet bamirësia a thua ata e kanë ekskluzivitetin e vullnetit hyjnor.
Vetë qëndrojnë mbi palët, janë “Profetënit e Perëndisë”, ata ndërhyjnë kur shohin “faulle” në “lojën” mes “viktimave”, “të varfërve” dhe “bamirësve” apo “solidarëve”.
Nuk lejojnë fotografi për një shishe vaj e një kile miell, janë shumë më të ndjeshëm ndaj dinjitetit të viktimave sesa ndaj hallit të tyre.
Një “bilbil” hyjnor ndërhyn sapo një kontribuesi bën publik donacionin: “ Kjo bie në kundërshtim me nenin x të ligjit qiellor i cili thotë “Bëje të mirën dhe hidhe në det”!
Faulli duartrokitet, ndërhyrja hyjnore merr mbi 2 mijë miratime ziliqarësh dashakeqësish.
Në emër të dinjitetit të viktimës!
Po kush janë këta që kujdesen kaq fort për dinjtetin e viktimës? Që japin mësim për ta bërë bamirësinë, të mirën pa publicitet? Kush ua dha këtyre këtë të drejtë sipërane?
I fundit ishte Mentor Kikia, një gazetar që përveç të tjerash mbledh vullnetarë për të pastruar bregdetin nga plehrat. Dhe sa herë e bën këtë kujdeset për të pasë kamera për të cilat nuk kursehet në intervista. Mentori bën shumë mirë që i mbledh vullnetarët, që i thërret kamerat dhe që jep intervista. Sepse nga ky publicitet nxiten të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë. Edhe në mos nxitë askënd nuk ka asgjë të keqe ta bëjë publike një punë të mirë. Është në natyrën njerëzore ta publikojë të mirën. Të gjithë përpiqemi ta bëjmë publike një punë të mirë tonën e ta fshehim të keqen. Askush nuk e kritikoi atë për protagonizëm të kërkuar. Përkundrazi, të gjithë i thamë “Të lumtë” dhe u ndiem keq pse edhe ne nuk kujdesemi sa duhet për mjedisin.
Por i njëjti Mentor ishte shqetësuar pse një djalë ishte shfaqur me trastën me fasule të përfituara nga dikush. Sipas Mentorit duhet që djali të merrte trastën dhe të refuzonte fotografinë, të ruante dinjitetin. Ose “bamirësi” të mos i kërkonte djalit të bënte foto me dhuratën e tij. Edhe mua do më pëlqente të ishte ashtu. Pra djali të përfitonte fasulet dhe të mos fotografohej. Por, në këtë rast, gjasat janë më të mëdha që do humbte fasulet. Bamirësi donte të përkëdhelte sedrën e tij, dëshirën për epitetin e bamirësit, duke e fotografuar të varfrin përfitues. Përndryshe i ikte dëshira t’ia jepte fasulet. I varfri pranon foton dhe merr fasulet.
Këtu ndërhyn Mentori nga lartësitë e Providencës! “Faull i pështirë”- bërtet arbitri hyjnor! “Nuk bëhet kështu, Shën Pali na ka mësuar….”!
Këta tipa bëjnë që të reduktohen bamirësitë. I duan të fshehura. Por të fshehura nuk ka Mentor. Janë shumë pak, po mbarojnë. Të gjithë duan të japin diçka e të mburren me të. Krejt e kuptueshme, krejt njerëzore. Le ta bëjnë publike, boll të ndihmojnë. Ti mos u bëj merak për dinjitetin e të varfrit, lërja atij vetë të kujdeset për të. Nuk të ka autorizuar askush nga lartësitë hyjnore për të gjykuar.
Por Mentori nuk ndalet vetëm me bamirësit e vegjël të fasuleve apo miellit. Ai u merr erzin edhe figurave më të respektuara të opinionit publik, Elvis Naçit, Arbër Hajdarit dhe Marin Memës. Nisur nga një replikë e pavend, publike e Arbër Hajdarit ku i drejtohej në mënyrë cinike Elvis Naçit: “O Hoxhë, na lër edhe ne të tjerëve të flasim”, Lartësia hyjnore Mentor Kikia e konsideron “gati të pështirë” dëshirën për protagonizëm mes dy të lartpërmendurve. Madje më tej, vazhdon “Për mendimin tim këta nuk janë bamirës, nuk kanë dhuruar asgjë nga vetja, këta janë menaxherë të ndihmës së ndihmave të të tjerëve”
Pra, arbitri suprem e dha verdiktin. Përkushtimi ditor i Elvisit, Arbrit, Marinit, Markos për kauzën, investimi i emrit dhe reputacionit publik të tyre nuk janë gjë, nuk janë para. Kjo është asgjë sipas Mentorit.
Provoje njëherë Mentor të mbledhësh para dhe mendoje të të thotë dikush “Ti je menaxher”. Qumështin e bën Kos tharmi, fara e kosit. Ata janë tharmi që nxisin solidaritetin, janë arsyeja pse sot ata kanë grumbulluar 8 milion Euro, Qeveria shqiptare 0,5 milionë e ziliqarët asgjë. Se ziliqarët e kanë të zënë kohën me kritika për bamirësit.
Tani dalim te arsyeja kryesore e shqetësimit. Mentori shfaq hapur xhelozinë pse askush nuk i kontrollon këta bamirës. Pastaj e kamuflon direkt “Të jemi të qartë: Nuk kam fijen e dyshimit për abuzimin material apo financiar”.
Në fakt është shumë e mundur që aty të ketë abuzime. Por unë nisem nga dëshira e mirë për t’i parë ata njerëz si pozitivë, bamirës, vullnetmirë e deri edhe heronj. Ndërsa Mentori protagonistë të paskrupullt, menaxherë e jo bamirës. Me një fjalë batakçinj që shfrytëzojnë fatkeqësitë për lavdi personale.
E di që në këtë mes e kam të humbur davanë. Të gjithë ata që nuk ndihmojnë për asgjë bëjnë moral. Dhe janë kaq shumë sa të mbysin.