Studiuesit*, sidomos ata të angazhuar me përparësi në analizat krahasimore ndërmjet sistemeve kulturore, kanë vërejtur se në shumë kultura e kollitura e stimuluar përcjell kuptime simbolike të caktuara.
Umberto Eco ka shkruar se anëtarët e kulturave të ndryshme dallojnë disa lloje të ndryshme të kollës abuzive, se e kollitura e stimuluar është një model sjelljeje e institucionalizuar.
Kështu, shoqërinë shqiptare paramoderne, veçanërisht në krahinat fshatare, kur burrat rrugëtonin natën stimulonin të kolliturën herë pas here para se të kryqëzoheshin me burra të tjerë që ecnin në kah të kundërt, para se t’i afroheshin një burri ose një grupi burrash që ecnin më ngadalë në kahun e tyre, kur kalonin pranë shtëpive ose staneve të bagëtive të të tjerëve.
Të kollitura të tilla përcillnin mesazhin se burrat që i stimulonin nuk rrugëtonin natën për qëllime të liga dhe jo rrallë i identifikonin udhëtarët në terrin e natës.
Mjaft malësorë, sidomos ata më me emër në krahinë, kishin diçka të veçantë, vetëidentifikuese në të kolliturën e tyre të stimuluar.
Edhe në ditët tona e kollitura përcjell simbolikisht mesazhe të caktuara, veçse shumë më rrallë në errësirën e natës.
Përgjithësisht burrat kolliten kur futen në një njësi shërbimi ose shitjeje, nëse personi që duhet të shërbejë aty nuk gjendet në banak, por në ndonjë kthinë ku nuk duhet. Një e kollitur e tillë njëherazi dëshmon praninë e një klienti në mjediset e njësisë së shitjes ose të shërbimit dhe e thërret zanatçiun ose shitësin të vihet në rolin që duhet të kryejë.
Gjithashtu, ndër shqiptarët, njerëzit me autoritet kolliten enkas për t’i kumtuar një personi tjetër, përgjithësisht me status më të ulët, mesazhin se po flet ose po vepron gabim, se duhet të ndryshojë linjën e arsyetimit ose modelin e sjelljes.
* Zyhdi Dervishi – “Lente të ndërveprimit simbolik”./mekulipress.com/