Publicisti i njohur Mustafa Nano e cilëson veprim të çmendur dhe të poshtër për opozitarizmin djegien e mandateve nga deputetët e opozitës.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Nano shprehet se ky veprim i opozitës do të shoqërohet me gabime të tjera, duke e futur atë në një spirale të rrezikshme nga bojkoti i zgjedhjeve e deri në përplasje civile dhe që nuk dihet se ku do ndalet.
Analisti i njohur del kundër lançimit që i bëhet krijimit të partisë së re të djathtë, Bindja Demokratike, nga Astrit Patozi duke thënë se ata që e përzunë Patozin nga PD-ja s’kanë pse shqetësohen sot pse ai është aktivizuar në politikë me një parti të tij.
Zoti Nano, ka lindur një parti e re, Bindja Demokratike. ǒkoment keni për të bërë?
Nuk kam ndonjë koment. Nuk kam se çfarë komenti të kem. Ajo sapo është krijuar.
Këto ditë janë dëgjuar zëra që po e quajnë fasadë të Edi Ramës…
Ky është bërë një sport popullor tanimë. Dhe i shëmtuar. Dhe ky ves i përhapur i etiketimit të tjetrit për opinionet e shprehura apo qëndrimet e mbajtura, që vjen prej përtacisë intelektuale, e ka imbecilizuar diskutimin publik. Ja, pardje lexova që edhe Dashamir Shehi paska thënë se Astrit Patozi është fasadë e Edi Ramës. Dhe unë në këtë mes po bëj një arsyetim të thjeshtë: “Në rastin më të qortueshëm, Astrit Patozi po mendon për mbijetesën e vet në politikë. E larguan në mënyrë hileqare prej partisë dhe ai tani ka gjetur një mënyrë për të gjalluar. Është kjo që ka bërë Dashamir Dhehi gjithë jetën. Atëherë, unë po pyes: Si ia lejon vetes ky njeri të denoncojë Patozin për një gjë, të cilën ai vetë e ka shndërruar në mjeshtëri? Dhe kjo gjë mund të thuhet edhe për kolegë të tij, të tipit Salianji, Bardhi etj.. Mund të thuhet edhe për intelektualë publikë, që e kanë sulmuar Patozin në të njëjtën mënyrë.
Ata kanë një alibi: mbështesin opozitën, jo pushtetin…
Po, e kam dëgjuar, kjo është e vetmja alibí që kanë. “Njeriu i ndershëm, sidomos intelektuali publik”, thonë, “duhet të jetë me opozitën”. Kjo është një broçkull. Intelektuali publik duhet të bëjë opozitë, e duhet të qortojë pushtetin sa herë që ky i fundit gabon, por nuk është e thënë të jetë me opozitën. Ka raste kur të jesh me opozitën është po aq gabim sa edhe të jesh me pushtetin. Në mos, edhe më gabim. Dhe ky është rasti shqiptar. Prandaj, askush që mbështet opozitën në Shqipëri nuk ka kredenciale morale më të larta sesa ata që mbështesin maxhorancën. E aq më pak u vlejnë këto kredenciale mbështetësve të opozitës për të sulmuar disa që me maxhorancën nuk janë. Siç është rasti i Patozit.
Opozitarizmin duhet ta matim me luajalitetin ndaj Berishës e Bashës? Unë nuk mendoj se ka kuptim kjo gjë. Përndryshe, i bie që nuk mund të jesh opozitar, nëse nuk bie dakord se djegia e mandateve ishte një veprim inteligjent, se bojkotimi i zgjedhjeve është gjëja e duhur, e se kërcënimi me luftë civile është një veprim patriotik. Në një kohë që është krejt e kundërta. Vendimi për të djegur mandatet e deputetit – duhet ta themi me gojën plot këtë gjë – ishte një veprim i poshtër dhe i çmendur. Edhe shumë njerëz në opozitë e dinë këtë gjë. Ndoshta të gjithë e dinë. Nëse nuk e dinë, i bie që të jenë të poshtër e të çmendur ata vetë. Dhe është e çuditshme se si të gjithë këta, si me komandë, ose e shtynë Bashën ta merrte atë vendim, ose e mbështetën pasi e mori. Dhe tani i japin të drejtë vetes të skandalizohen me ne të tjerët që këtë çmenduri e kemi denoncuar që në krye të herës. Duket sikur jemi në një botë me kokëposhtë.
Pse opozita e ka marrë këtë vendim, sipas jush, përtej argumenteve që janë artikuluar nga liderët e opozitës?
Nuk e kam të qartë deri në fund këtë gjë. Bëhen shumë spekulime në këtë pikë. Por unë po i lë spekulimet. Dhe po merrem me atë që shoh. Sot në pushtet është një njeri që ka grumbulluar shumë pushtet dhe, siç ndodh rëndom, në këto rrethana lind, e rritet, e forcohet një opozicion i caktuar. Ka shumë njerëz që e urrejnë Ramën, që do e donin sa më shpejt të largohej nga pushteti. Dhe për ta bërë të mundur këtë gjë, zgjidhja ka qenë të mbështesin kundërshtarët politikë të Ramës, ata që e përfaqësojnë dhe e drejtojnë opozitën e sotme. Mirëpo, në të njëjtën kohë u është mbushur mendja se kjo opozitë nuk e mund dot Edi Ramën. Për mua, kjo opozitë mund ta mundte Ramën, pasi shoh shumë pakënaqësi në Shqipëri. Do të ishte mjaft të përkthehej në vota kjo pakënaqësi. Mirëpo, ata janë bindur dhe duhet të kenë arsyet e tyre për këtë, që Basha nuk e mund dot Ramën. Kjo gjë ua prish qetësinë, i zhyt në dëshpërim. Dhe kështu ushtruan presion mbi Bashën, e radikalizuan këtë të fundit, e bënë të shpikte një medemek deus ex machina, d.m.th daljen jashtë sistemit për të krijuar idenë se sistemi është prishur dhe se loja duhet të nisë nga e para. Këtë vendim, pra, e morën ata që nuk e mundin dot Edi Ramën nën presionin e atyre, që Edi Ramën nuk e shohin dot me sy. Kaq e thjeshtë është gjëja.
Por nuk mund të mohohet që ky veprim i grupit të Patozit është një goditje e rëndë që i jepet opozitës, apo jo?
Nuk ka diskutim që ky veprim i Patozit e Co. është goditje e rëndë ndaj kësaj opozite. Por ky nuk është halli i Patozit. Është halli i opozitës. I kësaj opozite. Sepse lind pyetja: Ok, opozita merr një goditje të fortë, por pse duhet t’i kërkohet llogari për këtë Astrit Patozit, që me këtë opozitë nuk ka lidhje? Ai nuk është dakord me këtë opozitë. Ai e ka shprehur këtë gjë. Nga ana tjetër, kjo opozitë as që kishte nevojë për Astrit Patozin, prandaj edhe e përzuri. Atëherë, ç’tartakut ke? Kërkon të kontrollosh edhe veprimet e njerëzve, të cilët ti i përzë? Pastaj, si mund të shqetësohesh nga një njeri, për të cilin ti nuk ke nevojë?
Ju, çfarë mendoni për PD-në e sotme?
Për mua, është një parti që po shkon drejt vdekjes. Vendimi që ajo mori për djegien e mandateve, përveçse është një çmenduri, është edhe një harakiri. Sepse ky vendim kërkon veprime të tjera. Me fjalë të tjera, për t’u shpëtuar efekteve të këtij gabimi, PD-ja është e dënuar të bëjë gabime të tjera edhe më të mëdha. Ja, shikoni atë që po ndodh. Me të marrë vendimin për të djegur mandatet, kuptuan se duhet të merrnin edhe vendimin për të bojkotuar zgjedhjet lokale, përndryshe vendimi i parë u dilte pa kuptim. Dhe me të marrë këtë vendim të fundit, kuptuan se duhet të marrin edhe vendimin për të bllokuar rrugët apo jetën nacionale, përndryshe asnjë efekt nuk do kenë dy vendimet e para. E nesër do duhet të marrin vendimin tjetër për të nisur një luftë civile. Ata janë tanimë në një spirale të rrezikshme. Nuk dihet se ku do ndalen. Nëse do ndalen. Sepse të krijohet përshtypja që edhe sikur të duan të ndalen, nuk mund të ndalen më. Është një masë e madhe njerëzish që, duke qenë të vetëdijshëm se i janë futur një rruge qorre, dhe, duke menduar se të djegur e të djegur janë, mund të sillen me nervozizëm dhe papërgjegjshmëri. Mirëpo, ky do ishte edhe fundi i tyre. Dhe meqë jemi këtu, në këtë mes mua më ka befasuar edhe sjellja, edhe një pjese gazetarësh e intelektualësh publikë.
Cilat sjellje? Cilët gazetarë e intelektualë?
Ata që e kanë mbështetur Bashën në vendimin që ka marrë. Apo që e kanë shtyrë ta marrë këtë vendim. Kam vënë re që këta njerëz nuk po dinë të ndalen, gjithashtu. Shpallin tradhtarë, nxisin konfrontimin fizik, flasin për luftë civile, a thua se është fjala për ndonjë orgjí të padëmshme. Deklarojnë madje se lufta civile nuk është thjesht një opsion, përkundrazi, është i vetmi opsion. Ky është terrorizëm mediatik. Kam përshtypjen se kurrë më parë në historinë e Shqipërisë nuk ka pasur kaq shumë pjesëtarë të elitës që të kenë bërë të tyret pulsionet e dhunës, mú si të ishin gango rrugësh. Dhe e bukura është se disa syresh kanë edhe një arrogancë të habitshme intelektuale kur i shprehin këto qëndrime. U është mbushur mendja se janë vetëm ata që kanë common sense në këtë botë, dhe gjithë të tjerët, kolegë të tyre, politikanë, ambasadorë, diplomatë, kancelari e qeveri të ndryshme, janë të korruptuar prej Edi Ramës.
Ku e keni fjalën?
Nuk i keni parë me sa siguri flasin?! Dhe llogaritë i bëjnë mbi premisën që opozita është personazhi pozitiv në këtë histori, dhe maxhoranca është personazhi negativ, dhe për rrjedhojë i quajnë palo burra edhe ata që, indirekt, pa e pasur si synim fare, madje, duke pasur synimin e kundërt (siç është rasti i Patozit), çojnë ujë në mullirin e maxhorancës, ndërsa ata vetë që janë haptazi në krah të Berishës në betejën, që ky i fundit po bën për zgjedhje të lira(!!!!), kundër korrupsionit(!!!!), kundër diktaturës që është vendosur(!!!!), qenkan duke bërë një punë të paqme!!!! Si arritëm në këtë pikë, xhanëm? ǒjanë këta që kërkojnë t’i imponojnë shoqërisë shqiptare këtë standard gjykimi? ǒjanë këta që ia paskan mbushur mendjen vetes se ia vlen të bësh një luftë civile në këtë vend me synimin për të rrëzuar Ramën e për të risjellë në pushtet Berishën?
Duket se edhe ju jeni nervoz kundër kësaj opozite?
Po. Sepse po e shoh që duan t’i shkojnë deri në fund kësaj marrëzie. Po shoh që u janë errur sytë. Po shoh që kanë në plan ta fusin vendin në një spirale të dhunës. Po shoh që Haxhi Qamilët janë ende gjallë në vitin 2019.
Ju duket që ndaheni nga ata, edhe për faktin që ata mendojnë se largimi i Edi Ramës është prioritet kombëtar?
Jo, nuk e besoj këtë. Besoj që ndahemi për gjëra të tjera. Ndahemi për faktin që ata, djegien e mandateve, ndoshta edhe luftën civile, e quajnë të vetmen mënyrë për ta mundur Ramën. Ndahemi për faktin që ata shqetësohen jo që kemi një diktator, por që diktatori quhet Rama. Kur diktatori quhej Berisha, për ta çdo gjë ishte ok. Këta, pra, nuk bëjnë asnjë betejë për princip. Çdo betejë e bëjnë sepse iu volít. Kur Berisha vriste në bulevard, këta nuk ndiheshin. Në mos, ngazëlleheshin. Ndërsa tani bërtasin kundër diktatorit Rama që po përdor gazin lotsjellës. Hë, ta mbushin mendjen kritikë të tillë?! Mua jo! Dhe në këtë pikë duhet bërë një saktësim. Ne nuk jetojmë në një diktaturë. Mjaft më me këtë sendërgji idiote! Kurrë më parë një pushtet nuk ka qenë më pak i frikshëm këtyre anëve. Ne jetojmë në një regjim të korruptuar. Kaq. Dhe me këtë rast po them edhe që Edi Rama nuk është më i keqi kryeministër që kemi pasur në këta 30 vjet. Më i keqi është dikush tjetër, në krah të të cilit ata janë vënë. Thënë kjo, pranoj që Edi Rama është një problem, se ai nuk ka se çfarë të japë më, se ai duhet të fillojë të mendojë largimin. Do të ishte e kotë të shpresonte se koha punon për të. Jo, kohën nuk e ka me vete. Kohën e ka pasur me bollëk. Por kohë nuk ka më. Me mendjen që ka, edhe sikur edhe 30 vjet të tjera të rrijë atje ku është, nuk ka për të bërë asgjë të hairit. Por nuk pranoj amá që rrëzimi i tij nga pushteti duhet bërë me dhunë. Ai duhet rrëzuar me vota. Ai mund të rrëzohet me vota. Dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë faji është i atyre që nuk e mundin dot. Kështu që Edi Ramën e kemi peshqesh, dhe të fortë, prej kësaj opozite që kemi. Dhe me opozitë nuk kuptoj vetëm Bashën. Me opozitë kuptoj të gjithë ata që janë rreshtuar në krah të Bashës.
Ju do të shkoni të votoni në 30 qershor?
Po, sigurisht.
/PANORAMA/