Kosova mbetet i vetmi vend i diskriminuar në Ballkanin perëndimor që Bashkimi Evropian nuk i ka liberalizuar vizat. Këtë javë mbërrin në Prishtinë, për këtë temë, kryediplomati çek Jan Lipavsky. Presidenca çeke e BE-së ka thënë se do ta rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën këtë vjeshtë.
“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme t’i shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letrën që pak ditë më parë presidenca çeke e BE-së u dërgoi vendeve anëtare. Duhet një vlerësim pozitiv në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, që më pas të procedohet me mekanizmat për liberalizimin e vizave.
Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën në vitin 2012, ndërsa në korrik të vitit 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Parlamenti Evropian, në vazhdimësi, ka konfirmuar se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën. Në draft-raportin e PE-së, për të cilin do të debatohet në tetor në Komisionin e Politikës së Jashtme, kërkohet që sa më shpejt të përmbyllet liberalizimi i vizave për Kosovën. Po në tetor, Këshilli Evropian ka vendosur në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sipas dokumentit, kërkohet që BE-ja të angazhohet më shumë me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë që përmes dialogut të ndërmjetësuar nga blloku, shtetet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve. Aty po ashtu theksohet mbështetja për aspiratat evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.