Puka, parajsa e fshehur e turizmit dhe aventurës

E transformuar nga themelet, Puka është shndërruar në një destinacion të ri turistik. Dhe jo vetëm për qytetin. Shpellat e famshme jo larg saj, majat e maleve dhe shtigjet, hanet dhe ushqimi i mirë, uji dhe ajri i pastër janë arsye që të drejtojnë me kënaqësi drejt verilindjes.

Është surprizues qyteti që të shfaqet para syve pas një rruge gjarpëruese mes pishash, pemësh të larta dhe natyre që pret të shpërthejë në gjelbërim nga çasti në çast. Për ata që nuk kanë qenë kurrë, ose të tjerë që nuk e kanë shkelur atë zonë prej vitesh, me siguri që do të mbeten pa fjalë prej qytezës së vogël alpine të Pukës.

E shquar gjithmonë për pastërti, për ajër të pastër e ujë të shëndetshëm, tani Pukës i është shtuar edhe dora e ndryshimeve që e ka transformuar rrënjësisht duke e kthyer në një destinacion të ri turistik.

Nëse deri para pak kohësh kemi dëgjuar të flitet për hanet që kanë filluar të zhvillohen, të presin e përcjellin vizitorë me shumicë, për birrën e famshme Puka që mund të shijohet edhe në Tiranë e jo vetëm, këto kohët e fundit Puka është bërë e famshme edhe për ndryshimet rrënjësore që ka pësuar në pamje e në brendësi.

Asnjë gjurmë e së shkuarës nuk ka mbetur në qytetin e famshëm për ajrin, mikpritjen dhe ushqimin bio. Transformimi i kryer nga investimet që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka bërë për llogari të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës për kualifikimin urban të sheshit para bashkisë, ish-hotel turizmit, pedonalen dhe hapësirat përreth, fasadat dhe çatitë e rikonstruktuara, dhe projekte të tjera të zbatuara tashmë, kanë filluar t’i japin rezultatet e para: vitin e kaluar është shënuar rekord turistësh në këtë qytet. Dhe jo vetëm ata të huaj.

Gjatë festave të fundvitit, siç nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, Puka u kthye në një destinacion të preferuar edhe për vizitorët vendas, sidomos ata të një dite, që shijonin bukuritë e mbuluara nga dëbora, liqenin që duket sikur natyra e ka krijuar sapo, kurorën e pyjeve përreth qytetit, mikpritjen e ushqimin, që e shndërrojnë qytezën e vogël, 838 metër mbi nivelin e detit, në një vend unik për të kaluar fundjavën.

“Janë më shumë se 80 projekte të zbatuara që e kanë shndërruar Pukën në këtë që është sot”, thotë kryetari i Bashkisë Gjon Gjonaj, ndërsa tregon ndryshimet e kryera dhe një grup vajzash e djemsh të sapombërritur në qytet nga Kosova. “Nuk flitet vetëm për lyerje dhe fasada, është një ndryshim rrënjësor që ka prekur jetën dhe mirëqenien e banorëve të qytetit, plot 30 vjet pasi Puka ishte lënë në harresë të plotë”.

Në fakt edhe për atë që nuk ka qenë asnjëherë aty, nuk është e vështirë të dallojë shkëlqimin e një qyteti të gjallëruar nga e para. Shtatorja e Skënderbeut e inauguruar në fund të vitit të kaluar, flamuri që i valvitet në skaj, pak më tutje shtatorja e Migjenit të madh, i identifikuar me Pukën, të cilit i është dedikuar edhe një muze me emrin e tij, muzeu etnografik gjithashtu i këshillueshëm për tu vizituar, e më pas shumë destinacione që përfshijë majat e maleve që rrethojnë Pukën, 85 shpellat e famshme të saj, shtigjet e identifikuara për turistët e aventurës, luginat, lumenjtë dhe bukuritë natyrore, për tu përmbyllur me hanet tipike të vendit dhe ushqimet karakteristike të zonës, përbëjnë një ofertë të mirë turistike që i lë të dyja palët të kënaqur: edhe biznesin lokal, por edhe ata që duan turizmin e aventurës dhe natyrën.

“Sepse kjo është thelbësore, një impakt në zhvillimin e qytetit dhe rritjen e mirëqenies”, shton Gjonaj.

Transformimi ka qenë rrënjësor, në banesat e banorëve, ambientet çlodhëse të qytetit, mbjellja e pemëve, rregullimi i rrjetit nëntokësor, atij energjitik, sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza etj. Çka do të thotë se nuk është vetëm pamja e jashtme ajo që dallon. Njësoj në lartësinë e duhur është edhe shërbimi dhe kushtet që ofron Puka.

“Gjë që ka filluar t’i japë rezultatet. Vitin e kaluar është shënuar rekord vizitorësh, 1500 të tillë, tregtia ka filluar të rritet, vlera e banesave gjithashtu, është rritur puna edhe në një nga sektorët për të cilin Puka është shumë e njohur, ajo e mbledhjes së produkteve bio”.

Thënë ndryshe gjithçka ka nisur të gjallërohet bashkë me imazhin e qytetit të transformuar nga rrënjët. Me një larmi biodiversiteti, zona pyjore përreth Pukës është e njohur edhe për kërpudhat dhe frutat e egra që, përveç turizmit, përbëjnë burimin më të mirë të të ardhurave për banorët.

Bimët e shumëllojshme medicinale dhe produktet e marketuara “Made in Puka” kanë qenë sinjalet e para që kjo zonë tipike e malësisë së Veriut është një potencial i fuqishëm për zhvillimin e produktit vendas dhe turizmit.

Birra Puka, një produkt i njohur tashmë që i ka kapërcyer me kohë kufijtë e qytetit duke u shndërruar në përfaqësuese të produkteve shqiptare në shumë prezantime ndërkombëtare, Hani i Përparim Laçit në qytet, Bujtina “Makry” e Marko Prengës në Kryezi, Shtëpia në Mal përgjatë rrugës së Fushë Arrëzit në fshatin Hadroj, Alpini në Dardhë apo Hani i Zek Currit janë mikpritëse në çdo kohë e në çdo stinë për këdo që preferon qytetin ose kërkon të eksplorojë rrethinat e tij.

Mikpritja, karakteristikë e qytetit, dhe ushqimi i mirë (flija, tava e dheut, mishi në prush, qumështi, bulmeti, mjalti kurativ, vezët e freskëta, kërpudhat e egra, frutat e thata dhe reçelrat), qetësia magjike dhe ajri i pastër, luginat e gjelbërimi që shkon deri ku të rrok syri e bëjnë Pukën një destinacion pothuaj të pabesueshëm për bukurinë e saj dhe kaq lehtësisht i arritshëm dhe me surpriza të bukura.

5 destinacione për t’u vizituar

Ku dua të shkoj:

Po ta shohësh nga lart qyteti shtrihet në një pllajë të vogël, një majë e prerë 838 metër mbi nivelin e detit dhe ajo çka e bën të veçantë Pukën është masivi i pishave, 400 hektarë, që i vjen përreth dhe tre majat: e Krabit, Tërbunit dhe Munellës që e rrethojnë nga të gjitha anët. Ç’ka e bëjnë qytetin e Pukës një destinacion perfekt për alpinizëm, për turizmin e natyrës dhe të aventurës. Pista natyrore e skive që ngrihet në jug të qytetit pritet ta kthejnë atë shumë shpejt në një atraksion dimëror, të ngjashëm me simotrat e veta në Ballkan.

Ndërsa 85 shpellat e famshme të Pukës përbëjnë sfidën e re dhe ambicien e kryetarit të bashkisë, Gjon Gjonaj për t’i shndërruar në atraksione të reja, lehtësisht të arritshme, që pritet ta vënë në një tjetër piedestal për nga numri dhe interesi i vizitorëve qytetin e vogël. Vetëm 138 km larg kryeqytetit, nëpër një rrugë pjesërisht të re dhe pjesërisht të mirëmbajtur, Puka ka shumë për ofruar.

1 nga 11

1- Liqeni i qytetit

Vizita mund të nisë nga vetë qyteti. Me një popullsi prej 6000 banorësh, Puka shquhet për ajrin e pastër, qetësinë dhe muzikën e pishave të zeza kur preken nga era.

Pylli i pishave vazhdon përreth në një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vendi i parë për tu eksploruar është liqeni (qyteti ka dy të tillë), i sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet që nuk ndodhen larg qytetit. Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizmit (Puka ka një ekip alpinizmi), në Malin e Munellës dhe bjeshkët e Tërbunit.

2- Qyteti i Migjenit

I rikthyer në qytet 80 vjet më pas, si formë e një identiteti kulturor, shtatorja e Millosh Gjergj Nikollës (Migjeni) ngrihet krenare në qendër të qytetit. Dhe jo rastësisht. Puka është pazgjidhshmërisht e lidhur me poetin e mjerimit dhe dy thesare që duhen zbuluar janë edhe muzeu i Migjenit dhe ai etnografik i zonës.

Në muzeun e poetit (gjithashtu në plan rikonstruksioni), tregohet jeta dhe vepra e tij ndërsa ekspozita etnografike të orienton në disa nga vendet historike të zonës, të cilët renditen krahas monumenteve të shumta natyrore. Traditat e bukura të malësorëve në këto treva vijojnë të mbeten ende gjallë, shpirti burimor e folklorik transmetohet brez pas brezi si një vlerë e shtuar e këtyre anëve.

3- Një vizitë në Malin e Tërbunit

Ngrihet krenar në jug të qytetit, në një lartësi prej 1500 metër mbi nivelin e detit. Mali i Tërbunit është i pasur me pisha, ah dhe lis të ndërthurura, që jep një peizazh të këndshëm për syrin dhe për ata që e duan natyrën. Gjatë ngjitjes mundësitë e ndalimit janë tek krojet me ujin e kristalte të kësaj bjeshke si dhe mrizet. Nga maja e Tërbunit mund të soditet qyteti dhe dy liqenet e tij.

4- Itinerari Pukë – Qelëz – Liqeni i Komanit – Shpella e Murgjve (Kaurrit)

Mund të përshkohet me makinë, biçikletë dhe varkë. Është një destinacion i lakmueshëm për ata që duan turizmin e aventurës që si ndalesë të parë ka fshatin Qelëz e më pas ngjitje deri ne liqenin i Komanit.

Një shëtitje në liqen nuk ka të krahasuar me asgjë tjetër në atë zonë, por e veçanta e këtij turi është shpella e famshme e Kaurrit që ndodhet afër fshatit Lëvrushk, në malin e Kollatës.

Veçantia e saj është mbivendosja e gurëve njëri mbi tjetrin si dhe bimësia e shumëllojshme gjithëvjetore që lulëzojnë në shkëmb dhe krijojnë një pamje mahnitëse. Shpella karstike, me stalaktite dhe stalagmite, është e gjatë 80 m, e gjerë nga 1 deri 5 m dhe e lartë 3 deri 8 m. Në hyrje të saj ndodhet një manastir Asketësh i periudhës VI-IX. Shumë pranë kësaj shpelle ka kaluar dikur rruga që lidhte Shkodrën me Prizrenin.

5- Shkëmbi i Zanave (Mrizi i Zanave)

Ndodhet në drejtim të kundërt, nga fshati Qerret i Pukës, me ndalesë të parë një krua tipik uji dhe përfundon tek Shkëmbi i Zanave, në një lartësi 680 m mbi nivelin e detit. Aty ndodhet shpella, mulliri si dhe mrizi po me të njëjtin emër.

Brenda saj dëgjohen zhurma karakteristike të ujërave nëntokësor, që me kalimin e shekujve kanë ardhur si gojëdhëna të “jehonës së zanave” prej nga ka marrë edhe emrin “Mulliri i Zanave”./atsh/

Loading...