Punonjës të Inceneratorit të Fierit mëngjesin e sotëm kanë dalë në protestë duke bllokuar automjetet që transportojnë mbetjet nga bashkitë në këtë zonë.
Punëtorët janë ngritur në protestë pasi kanë 4 muaj që nuk kanë marrë rrogat. Punonjësit e inceneratorit kanë bllokuar mjetet me mbetjet e bashkive Rroskovec, Patos, Fier dhe Lushnje, ndërsa kërcënojnë se do të futen në grevë urie në rast se nuk marrin pagat e tyre të prapambetura.
Ndërkohë një nga punonjësit ka treguar se është zhytur në borxhe dhe se bën sherr çdo ditë me gruan.
Punonjësi:
Jam mbytur në borxhe, në kredi, nuk kam ku të vete më, do hyjmë në grevë urie, po bëjmë çdo ditë sherr me gruan në shtëpi, jemi pa bukë, po kërkojmë vetëm lekët tona, nuk po kërkojmë mëshirë, zoti Faraudin Arapi na ka thënë që mbyllni portën s’keni se çfarë të bëni.
Kujtojmë se inceneratori i Fierit është marrë nën administrim nga shteti, pas vendosjes së sekuestros me urdhër të SPAK. Punonjësit e inceneratorit kërkojnë që shteti të reagojë dhe të japë pagat e prapambetura.