Presidenti rus, Vladimir Putin, tha këtë ditën e sotme se nëse Ukraina “vazhdon të sillet në të njëjtën mënyrë”, atëherë “do të vërë në dyshim të ardhmen e shtetësisë së saj”.
“Nëse udhëheqja aktuale ukrainase vazhdon të bëjë atë që bën dhe nuk i kupton shqetësimet tona për mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore në territorin e saj, ajo po vë në pikëpyetje të ardhmen e Ukrainës si shtet”, tha presidenti rus, Vladimir Putin.
Sipas tij, po bëhen përpjekje për të “shkundur shoqërinë ruse”. Putin tha se pasojat e konfliktit NATO-Rusi, nëse do të ndodhte, do të ishin “të qarta për të gjithë”. Ai tha gjithashtu se sanksionet kundër Rusisë “janë të ngjashme me një shpallje lufte, por kjo nuk ka ndodhur ende”. Putin mohoi zërat se Rusia do të shpallte gjendje të jashtëzakonshme ose ligj ushtarak për shkak të operacionit të vazhdueshëm ushtarak në Ukrainë dhe sanksioneve perëndimore kundër Moskës.
Në lidhje me armëpushimin, Putin pretendoi se “puna e korridoreve humanitare, veçanërisht ajo e Mariupolit, pengohet nga nacionalistët ukrainas”.