Qafa e Ubavit në Kallarat. Vendi i kuvendeve, i arsimit, kulturës e më gjerë – Shoqata Kallarati

NË KUADRIN E RUBRIKËS: “TË NJOHIM VENDLINDJEN, KALLARATIN, HISTORINË, NJERËZIT DHE NATYRËN”, LE TË NJIHEMI ME NJË NGA LAGJET, PIKËRISHT ME QAFËN E UBAVIT.
—————————————————————

QAFA E UBAVIT, VENDI KUVENDEVE, I ARSIMIT, KULTURËS DHE MË GJERË.

Qafa e Ubavit është e mbushur plot me histori. Këtu mblidheshin kallaratasit e qanin hallet e dertet e jetës. Shumë herë i gjithë fshati grumbullohej këtu e merrte vendime të rëndësishme.

Këtu, në Qafën e Ubavit të parët tanë mblidheshin në kuvende. Këtu burrat dhe gratë niseshin për luftë. Nga këtu nënat kallaratase u kanë dhënë bekimin dhe urimin bijve dhe bijave të tyre, që i nisnin në luftë ndaj pushtuesve.

Këtu, në këtë copë tokë, janë derdhur shumë lot gëzimi, por edhe pikëllimi. Shumë afër prej këtu, në Fshira, gjejnë prehjen e tyre të përjetshme gjyshërit, prindërit dhe të afërmit tanë të ndarë nga jeta.

Qafa e Ubavit është qendra historike e fshatit tonë. Ajo është toka ku “mbinë e lulëzuan“ shkronjat e para shqipe dhe nisi rrugën shkolla shqipe në Kallarat në vitin 1916.

Dhe me të drejtë është kënduar:
– Qafë e Ubavit, moj nënë,
o vend i kuvendeve…

Në Qafën e Ubavit funksionoi për vite të tëra Vatra e Kulturës, ku argëtohej rinia, ku këndohej e kërcehej.

Dyqani i vetëm deri vitet e fundit, ishte pikërisht në Qafën e Ubavit.

Në Qafën e Ubavit, në shtëpinë e Nënë Duzes u ngrit Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare.

Në të dy krahët e qendrës së kësaj lagjeje shtrihen dy nga fushat më pjelloret në kohën e kooperativës bujqësore, ajo e Ubavit dhe Fierit të Sipërm, të cilat edhe sot në ekonominë private janë zbukuruar e lulëzuar nga dora e njeriut.

Qafa e Ubavit edhe sot në kohën e demokracisë vazhdon të lulëzojë e të zhvillohet si në aspektin kulturor, urbanistik me shtëpi e vila të reja, por edhe në aspektin bujqësor me pemë e vreshtari, ashtu edhe në aspektin blegtoral.

Lagja, Qafa e Ubavit, së bashku me Morrezën qendrën e sotme të fshatit dhe Bashain, përbëjnë treshen që i japin bukurinë fshatit tonë Kallaratit, si një ndër fshatrat më të bukur të zonës.

Natyra na ka falë tokën, ujin dhe malin. Përfundimi i rrugës automobilistike dhe lidhja me bregdetin me siguri do t’ia rrisin vlerat dhe do ta bëjnë më tërheqëse për gjithë kallaratasit kudo që ndodhen, pse jo edhe turistëve vendas e të huaj të cilët nuk kanë munguar edhe tani.

Loading...