Qendra shëndetësore verore në Drimadhas, 1100 vizita për pushuesit në vetëm dy muaj

Nga 1 qershori i këtij viti, në qendrën shëndetësore verore të Drimadhasit janë ofruar mbi 1100 vizita për pushuesit në këtë plazh.

Shifrat u bënë publike nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila vizitoi këtë qendër shëndetësore. Sipas saj, shërbimi shëndetësorë është përmirësuar falë investimeve edhe në flotën e autoambulancave.

“Tani organizimi që është bërë i Urgjencës Kombëtare me postacionet qoftë edhe për sezonin e verës në të gjithë Shqipërinë, 127 numri i cili duhet të telefonosh për të kontaktuar urgjencën është shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe sot kemi mbi 250 mijë telefonata gjithë vitin, mbi 50 mijë misione që janë kryer. Ajo që është për të thënë dhe duhet ta përmirësojmë sigurisht është koha mesatare e pritjes së ardhjes së Urgjencës.

Është ulur ndjeshëm por duhet të përmirësojmë zonat rurale, sigurisht infrastruktura do të ndikojë shumë dhe përmirësimi i infrastrukturës në arritjet më të shpejta të autoambulancës në vendngjarje por edhe shpërndarje e gjithë flotës së autoambulancave në postacione dhe plani që tashmë është vënë në zbatim, na ndihmon shumë për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve sa i përket shërbimit të urgjencës”, -u shpreh ndër të tjera Manastirliu.

Ministrja theksoi se edhe bashkëpunimi mes autoambulancave, qendrave shëndetësore dhe njësisë së helikopterëve ka sjellë përmirësim qoftë në shërbimi shëndetësor të ofruar, qoftë edhe në mbërritjen në vendngjarje sa më shpejt.

“Lidhja që kemi krijuar mes postacioneve fikse, qendra shëndetësore, spitaleve, njësia e helikopterëve që gjithashtu është në gatishmëri dhe janë mbi 70 misione të kryera, duhet ta pranojmë që ka një përmirësim, ka një ndihmë për zonat e largëta”, -tha Manastirliu.

Sipas drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj investimet e kryera në shëndetësi kanë mundësuar për herë të parë edhe statistika lidhur me aksidentet e ndodhura./atsh

Loading...