Qeveria ka hapur garën e tenderit për rindërtimin e aeroportit të Vlorës.
Ministrja e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Belinda Balluku bën me dije se afati që kanë kompanitë për tenderin ndërkombëtar është deri më 12 mars ndërkohë punimet pritet të fillojnë në 31 maj 2020.
Nga ana tjetër ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se Shqipëria me anë të këtij aeroporti synon të arrijë shifrën e 10 milion turistëve duke nisur nga dekada e ardhshme.
“Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të rëndësishëm. Presim 6.3 milion turistë këtë vit, 10 për qind më shumë se vitin e kaluar. Kemi të nevojshëm infrastrukturën dhe portet.
Aeroporti i Vlorës është investim shumë i madh, do e shndërrojë në një destinacion të arritshëm nga turistët. Nga aeroporti i Rinasit nuk mund të përmbushë për një rrugë 2 orë distancë këtë që do të bëjë Aeroporti i Vlorës.
Duhet të jemi gati për një moment të ri të fazës së ndërtimit të hoteleve në Vlorë. Një nga sektorët që mund të marrë dëme nga tërmeti është pikërisht turizmi dhe lajmi për aeroportin është një lajm shumë i mirë.
Në dekadën tjetër presim 10 milion turistë, ky është synimi jonë. Do të na bëjë të mundur që me këtë Aeroport të kemi pikërisht këtë numër të madh prandaj që ky është një investim shumë i madh, në një sektor i cili është kryesor për Shqipërinë. Do të disafishohet investimi turistik në Vlorë, nuk bëhet fjalë vetëm për një aeroport turistik, është një pasuri për të gjitha trevat shqiptare”, tha Klosi.
Ministrja Balluku tha se ky tender ndërkombëtar kthehet në një patron për të gjitha procedurat e ardhshme dhe se kryeministri Rama mbajti premtimin për jugun, për t’i dhënë një aset të pasur.
“Falënderoj trupën diplomatike në radhë të parë. Kjo është një vepër ndërkombëtare bazuar mbi parimet e transparencës dhe parimet e konkurrencës sa i përket garës për tenderin.
Sinergjia mes palëve, bashkëpunimi dhe strategjia e Ministrisë së Turizmit si dhe infrastruktura e siguruara nga Ministria jonë, Bashkia Vlorë janë punë grupi dhe një punë e suksesshme. Kemi punuar deri vonë mbrëmë për të parë detajet dhe për të qenë sot në nivel të lartë prezantimi.
Ky tender ndërkombëtar kthehet në një patron për të gjitha procedurat e ardhshme, është pikënisja e strategjisë së zhvillimit të qeverisë.
Do të tenderojmë dhe Thumanë-Rrogozhinë shumë shpejt.
Aeroporti kërkon dhe një ndërhyrje tjetër, tuneli i Llogorasë në mënyrë që të gjithë pasagjerët të shkojnë shumë shpejt në jug, për një rrugë shumë të shkurtër. Sot çelim zyrtarisht tenderin ndërkombëtar për rindërtimin e Aeroportit të Vlorës. Pesimizmi ka qenë i zëshëm, por sot hidhet hapi i parë. Kryeministri Rama mbajti premtimin për jugun, për t’i dhënë një aset të pasur. Për herë të parë nga Shqipëria do të kemi një linjë transoqeanik, akses të drejtpërdrejt të shqiptarëve apo diasporës me SHBA apo Kanadanë.
Tenderimi 35-vjeçar, ndërkohë afati i garës është deri në 12 mars. I kemi lënë një afat të gjatë për mos i vendosur në presion dhe kohë pas festave. Do të jetë një proces transparent dhe me standardet më të larta. Termat dhe kushtet e tenderit do të rrisin shërbimin ajror”, deklaroi Balluku.
I pranishëm ishte dhe kreu i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli i cili deklaroi se falë një pune të madhe sot është një ëndërr e realizuar për vlonjatët.
“Shumë pak njerëz do e besonin pak ditë më parë.
Falë një pune të madhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të turizmit sot është një ëndërr e realizuar për vlonjatët, falë edhe mbështetjes së kryeministrit Rama. Lungomaren e kritikuan, sot është një simbol i orientimit turistik në Bashkinë Vlorë. I kemi shndërruar objektet turistike në njësi hoteliere. Aeroporti është një investim i ri dhe shton në mënyrë shumë cilësore zhvillimin e qëndrueshëm dhe të ardhmen turistike jo vetëm të Vlorës. Do të ketë impakt ekonomik në rang kombëtar”, deklaroi Leli.