Qofte shtëpie me mish viçi

Qoftet kanë qenë ndër gatimet e mia më të pëlqyera fëminore.

Pothuajse çdo javë i kërkoja nënës sime t’i përgatiste enkas për mua. Rrija pranë saj për të parë nga afër çdo fazë të recetës!

Tani që jam larg, kam mësuar t’i gatuaj vetë.

Mirëpo ajo që më bën më shumë përshtypje është fakti që edhe pse i përdor shpesh, ende nuk më janë mërzitur! Çudi e madhe kjo! Hidhini një sy recetës së mëposhtme, në qoftë se ju pëlqen, përgatiteni edhe ju!

Do të nevojiteni

500 gr mish viç i grirë

1 qepë

2 thelpinj hudhre

1 majë luge rigon i tharë + 2-3 degëza rigon të freskët

1/2 luge nenexhik i tharë + 1 tufëz nenexhik të freskët

200 gr kore buke të lagur (preferoni bukë të zezë)

1 lugë çaj uthull

pakëz kripë

pakëz piper

+

miell

vaj ulliri për tiganisje

Përgatitja

Si fillim grini qepën dhe hudhrat. Pastaj hiqeni bukën nga uji dhe bëjeni tip topthi derisa të mos kullojë më. Në një enë të madhe shtoni të gjithë përbërësit, duke i ngjeshur mirë së bashku për rreth 10 minuta.

(Para se të filloni procesin e bërjes së qofteve, vëreni mishin e grirë në frigorifer për rreth 30 minuta.)

Në vazhdim, formoni qoftet me duar (në përmasa të mëdha me qëllim që të fryhen) dhe lyejini me miell nga të dyja anët (miellin e tepërt shkundeni), pastaj skuqini në vaj të nxehtë dhe kthejini vetëm dy herë, derisa të marrin ngjyrën e kuqrremtë.

Në fund, hiqini nga zjarri dhe vendosini në letër kuzhine, me qëllim që të mos mbajnë vajin e mbledhur. Shërbehen me patate të skuqura dhe sallatë!/albstroka.com/

Loading...