I tillë ishte dhe një prej rasteve të prezantuara sot në takimin e përjavshëm të Kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e bashkëqeverisjes.
Albert Koçani nga Fieri kishte aplikuar pranë ZVRPP Fier më 30 korrik 2018 për regjistrimin e lejes së legalizimit të banesës, por nuk kishte marrë shërbimin e kërkuar.
Pas adresimit të problematikës së tij në platformë më datë 21 nëntor 2018 arriti të pajisej me certifikatën e pronësisë në fillim të dhjetorit, por sërish ajo ishte lëshuar me gabime.
Përmes platformës së bashkëqeverisjes, qytetari kërkoi korrigjimin e lejes së legalizimit dhe arriti të merrte në dorë variantin e saktë në 18 janar 2019.
Çdo javë, tha Kryeministri, “rastet e trajtimit të të drejtës së pronës, qoftë në zyrat e hipotekave, qoftë në zyrat e ALUIZNI-t janë prezente në eventin tonë”.
“Por, dua të nënvizoj një fakt, që pavarësisht se vazhdojmë të kemi probleme të kësaj natyre, bazuar në të dhënat konkrete të zyrave, kemi një përmirësim të ndjeshëm të punës, shërbimit dhe marrëdhënieve me qytetarët”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, “do të thotë se presioni i bashkëqeverisjes funksionon dhe vetëdija po krijohet hap pas hapi tek punonjësit se, cilido që të shfaqet përballë, sado i dobët e i pambrojtur e pa miq e shokë të duket, në rast se i drejtohet platformës bëhet i fuqishëm”.
“Qytetari jo vetëm fiton të drejtën e vetë, por të çon në rrugën e ndëshkimit administrativ në rast se i ke rënë në qafë. Jo vetëm qytetarët marrin të drejtat e tyre por administrata ndërgjegjësohet për rolin dhe detyrimet e saj”, shtoi Rama.
Kryeministri u shpreh se “ne këmbëngulim çdo javë me këtë event, sepse e konsiderojmë tejet të rëndësishme që t’u japim të gjithë bashkëqytetarëve tanë mundësinë që përmes dëshmive të ndjehen të inkurajuar të drejtohen te shqiperiaqeduan.al”, tha Rama. /atsh/