Cena kishte aplikuar që në vitin 2006 për një leje legalizimi të banesës së tij dykatëshe, por nuk morri kurrë një përgjigje.
Qytetari kishte aplikuar pranë ZVRPP Tiranë për regjistrimin e lejes së legalizimit ku afati përfundimtar për dhënien e shërbimit ishte data 11 tetor 2018.
I gjendur në kushtet ku shërbimi nuk është ofruar brenda këtij afati qytetari iu drejtua platformës më 25 dhjetor 2018 dhe më datën 9 janar u pajis me certifikatë pronësie. Rasti i qytetarit u trajtua nga Ministria e Drejtësisë.
Në takimin e përjavshëm të “Bashkëqeverisjes” me Kryeministrin Rama, ai tha se i kishte shkruar tre herë letra zyrtare ish Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe ish Kryeministrit Berisha, të cilët nuk ju përgjigjën asnjëherë për shqetësimin e adresuar prej tij.
Ai tha se ishte një votues i PD, por zgjidhjen sikurse u shpreh Cena, iu dha vetëm qeveria socialiste përmes platformës.
“Kisha aplikuar që në vitin 2006 dhe asnjëherë nuk mora përgjigje. Te ALUIZNI më thoshin që ka mbivendosje. Tre kërkesa i çova ish Ministrit Alibeaj me shkrim, se ishte qeveria që kisha votuar. Derisa erdhi qeveria socialiste. Gjithmonë isha votues i së djathtës dhe ndjekës i PD. Madje i shkrova mesazh Kryeministrit të asaj kohe, në një numër telefoni që e kishte vendosur ai për qytetarët dhe hiç. Arriti kjo qeveri që nuk e votova kurrë, të më plotësojë një kërkesë. Sot arrita ta merrja lejen dhe të falenderoj ty dhe qeverinë tënde zoti Rama”, tha Cena.
Duke folur për rastin Kryeministri Rama u shpreh se, “së shpejti do të hyjë në fuqi ligji i ri dhe do të kemi bashkimin e ALUIZN-it dhe Hipotekës dhe do të kemi një agjenci kombëtare që do të merret me ligjin e pronës. Kjo do të bëjë që të eliminohen ecejaket sepse do të ketë vetëm një adresë , një sportel për çështjet e pronës dhe legalizimet”. /atsh/