Qyteti i Brindizit është mbushur me fotografi gjigande që përcjellin imazhet e zbarkimit të 27 mijë emigrantëve shqiptarë në këtë qytet në natën e 6 -7 marsit 1991. Fotografitë e realizuara në atë kohë nga Damiano Tasco kujtojnë 30 vjetorin e eksodit të madh të mijëra shqiptarëve që me anije e mjete të ndryshme lundrimi mbërritën në brigjet italiane. “Brindizi qyteti i mikpritjes” është mesazhi i përcjellë dhe në gjuhën shqipe në këto fotografi që kujtojnë zemërgjerësinë e banorëve të këtij qyteti që hapën dyert e mikpritën brenda një ditë një fluks kaq të madhe emigrantësh.Edhe pse Marina Ushtarake Italiane nën urdhërin e qeverisë që drejtohej nga kryeministri Giulio Andreotti, kishte vendosur bllokimin e anijeve e moszbarkimin e shqiptarëve, kapiteneria e portit dhe autoritetet lokale të Brindizit vendosën në mënyrë autonome të aplikojnë ligjin e detit, të shpëtojnë e të lejojnë në tokën e tyre ata mijëra shqiptarë që ndodheshin mes detit në një mot të keq, me detin shumë ballësh, erën e fortë e shiun që binte pa reshtur. Qyteti i Brindizit vuri në dispozicion 38 shkolla për të strehuar shqiptarët e zbritur nga anijet e Arqipeshkopi i këtij qyteti, Imzot Todisco, ishte i gatshëm të hapte të gjitha kishat për t’i mikpritur.
Brindizinët sollën veshje ushqime e hapën dyert duke strehuar në shtëpitë e tyre mjaft shqiptarë të dëshpëruar e të etur për një jetë të lirë e të denjë. Ky qytet që më vititn 1991 numëronte rreth 95 mijë banorë menaxhoj me dashamirësi e humanizëm mbërritjen e 27 mijë shqiptarëve që ishin më shumë se 1 /3 e popullsisë së tyre. Sot në Brindizi jetojnë 274 shqiptarë me leje të rregulltë qëndrimi e përbëjnë mbi 10% të rreth 2500 emigrantëve nga të gjitha kombësitë që jetojnë në këtë qytet.
Qyteti i Brindizit kujton 30 vjetorin e zbarkimit të emigrantëve të parë shqiptarë
Loading...