Një turiste 55-vjeçare polake ka humbur jetën orët e paar të ditës së sotme për shkak se ka rënë aksidentalisht nga kati i 6-të i një hoteli në qytetin e Durrësit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Hotel Royal në zonën e plazhit, ku ishte duke pushuar turistja.
Burime për Faxnews bëjnë me dijse se rënia ka qenë aksidentale, dhe turistja 55-vjeçare ka pasur probleme shëndetësore, konkretisht me tensionin.
Në momentin e ngjarjes po të njëjtat burime bëjnë me dije se turistja polake ka qenë në gjendje të dehur, sakaq përsa i përket kushteve të hotelit bëhet me dije se është një ndërtesë relativisht e re dhe se nuk ka pasur probleme me sigurinë.
Policia ka nisur hetimet në lidhje me kushtet e sigurisë në këtë hotel dhe rrethanat e ngjarjes me fund tragjik.
Njoftimi i policisë:
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr. 13, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga kati i gjashtë i hotelit ku ishte akomoduar për pushime, shtetasja polake B. V., 55 vjeçe, banuese në Poloni, e cila për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.