Referuar faktit që të prekurit me koronavirus e përhapën atë nga rrugë tokësore, me makinë personale nga Firence në Shqipëri përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, më 26 shkurt, kryeministri Edi Rama tha se nuk është vendi për përshkallëzime ekstreme të mbylljes së kufijve.
“Të gjitha thirrjet për përshkallëzime ekstreme nuk burojnë nga protokolli zyrtar i OBSH-së, por nga ndenja e natyrshme e pasigurisë që nuk duhet lejuar të kthehet në panik. Kjo është A-ja. Çdo gjë sipas planit të konsultuar dhe të vënë në tryezën e shtetit mbi bazën e protokollit të OBSH-së”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e parë të qeverisë pas prekjes së dy personave nga koronavirusi në vendin tonë, përsëriti disa herë apelin
“Të gjithë jemi të ekspozuar ndaj riskut nuk ka këtu asnjë dallim shtrese, moshe e kështu me radhë, por të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se ku ky virus prek më rrezikshëm, kush janë hallkat e dobëta, dhe si të gjithë së bashku të bëjmë të ruajmë njëri-tjetrin dhe të dalim edhe nga kjo situatë me vetëpërmbajtje dhe një angazhim ku secili bën punën e vet. I takon qeverisë të udhëheqë këtë proces dhe ne jemi të vetëdijshëm, por i takon secilit të bëjë edhe pjesën e vet.
Janë disa këshilla shumë të thjeshta, që duhen ndjekur, që nga shmangia e kontakteve të afërta kur janë të evitueshme, tek dezinfektimi i duarve, larja e shpeshtë e duarve pas kontaktit, tek vetëkarantinimi në rast se vjen nga një zonë që është prekur, dhe tek vendosja e një filtri individual në raport me informacionin.
Asnjë panik, asnjë ekzagjerim në emocione negative. Kujdes, qetësi, vetëpërmbajtje. Nuk është një virus që po të zuri të mori jetën. Është një virus që ka karakteristikën e të panjohur, por referuar statistikave është një situatë e vështirë për shkak të panjohurës, por jo një situatë ku po kërcënohet e ardhmja e njerëzimit. Duhet ta ndjekim me shumë qetësi”, u shpreh kryeministri Edi Rama