Shigjetimet ndaj opozitës nuk munguan edhe në këtë takim të radhës, ku Rama e quajti popull imagjinar atë që del në protestë, dhe punonjës të administratës lokale ku qeveris opozita.
“Kërcënojnë rrugëve me popullin imagjinar, me punonjësit e bashkive, ata kanë frikë të ballafaqohen dhe prandaj përbetohen se nuk do të lejojnë popullin të zgjedhjë.
Një gjë është pak por e sigurtë, ata mund të vendosin të vrasin veten politikisht, por ata nuk vendosin asgjë tjetër për ne dhe Shqipërinë”, tha Rama.
Kryeministri nuk e quan më opozitë rrugore, por opozitë kryesore atë që ka dalë për të protestuar dhe që nuk do marrë në zgjedhje.
“Ju e dëgjoni edhe nëpër ekrane, edhe nëpër kafene zërin e disave që thonë si mund të bëhen zgjedhje pa opozitën kryesore, opozita ka vendosur vetë të mos hyjë në zgjedhje, ata kanë frikë nga zgjedhjet”, tha Rama.
Sipas tij, qëllimi i opozitës është që të varrosë reformën në drejtësi.