Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se 5 pikat e propozuara nga PD-ja për t’iu ardhur në ndihmë bizneseve në Durrës për periudhën post- tërmet, përkojnë me propozimet e hartuara nga qeveria.
Në reagimin e tij, një ditë pasi platforma e PD-së u bë publike, që parashikonte përjashtimin nga disa taksa apo mos pagimin e faturave të energjisë dhe ujit për një periudhë të caktuar kohore, kreu i qeverisë tha se është dakord me një pjesë të sugjerimeve, po vë theksin që palët duhet të lënë mënjanë ndasitë politike dhe të ulen në tryezë.”Gabim i madh’ e ka quajtur Rama refuzimin e kryedemokratit Basha për t’u ulur në një tryezë për të diskutuar mbi opsionet më të mira për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti dhe jo për çështje politike.
“@lulzimbasha_al një pjesë e sugjerimeve të publikuara lidhur me bizneset e dëmtuara në Durrës, përkojnë me propozimet e hartuara nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit & Ministrja e Financave. Por vazhdoj të them se refuzimi i tryezës së përbashkët është gabim i madh”, shkruan Rama.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
Ditën e djeshme, pas takimeve të bëra me disa pronarë biznesesh në qytetin e Durrësit dhe përfaqësues të Asamblesë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, Basha bëri publike një platformë me 5 pika. Sipas Bashës, në këtë periudhë post- tërmeti, biznesi ka pësuar një goditje të madhe, me punonjës që nuk kanë shkuar në punë për shkak të panikut, dëme materiale, rroga dhe sigurimet që vazhdojnë të paguhen edhe pse puna është stopuar, për këtë arsye duhet një plan i mirëfilltë për t’iu ardhur në ndihmë.
Platforma e PD-së, që ka gjetur dakordësinë edhe me qeverinë
1. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
2. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
3. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
4. Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
5. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore”