Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë pasdite projektin e aeroportit të Vlorës.
Gjatë fjalës së tij, Rama nuk ka lënë pas edhe batutat me vlonjatët, teksa ka thënë se në mungesë të aeroportit, ata fluturuan me skaf, por u pa që skafi nuk ishte alternativa e duhur.
Më tej, kreu i qeverisë deklaroi se kantieri për ndërtimin e aeroportit të Vlorës do të çelet në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Në mungesë të aeroportit, vlonjatët fluturuan me skaf, por u tregua se skafi nuk ishte alternativa e duhur, ndaj po iu bëjmë aeroportin.
Jemi në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për t’i hapur rrugë këtij procesi.
Dua të përsëris se objektivi ynë që kantierin për ndërtimin e aeroportit ta celin në pranverën e ardhshme. Unë e di që në Vlorë pranvera fillon në tetor, por e kam fjalën për pranverën e 2020.
Objektivi ynë është që të krijojmë një treg konkurrues, por kjo do kërkojë pak kohë në planin afatmesëm.
Ndërkohë që në planin afatgjatë do normalizohet problemi i çmimeve. Mendoni për emrin, unë e kam një ide shumë të mirë, por nuk do ta them”, tha Rama.