Rama batutë për Veliaj për Piramidën: “Nëse është djalë e kemi bashkë…”

Është prezantuar sot në sallën COD në Kryeministri projekti i transformimit të Piramidës në një qendër të madhe për teknologji informacioni.

Kryeministri Edi Rama tha se me projektin është zgjidhur një dilemë 30-vjeçare për këtë godinë. Sipas tij, nga një godinë e ndërtuar për të sjellë në rresht të gjithë njerëzit që të adhuronin diktaturën dhe diktatorin, kthehet në një godinë që i sjell në tufa njerëzit për të celebruar lirinë, jetën dhe ngjitjen drejt qiellit të secilit. Nuk ka munguar edhe një batutë e kryeministrit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

“U deshën 15 vjet që Vini t’i japë përgjigje pyetjes, duke ia dalë të fitojë një sfidë që nuk është gjithmonë e mundur. Sfidën e transformimit të një ikone arkitektonike të krijuar për një qëllim tjetër në një vlerë të shtuar në një kohë të re. Në sliderin e parë që prezantoi ishin të gjitha pamjet e asimetrisë mes të shkuarës dhe të ardhmes duke pasur në qendër të njëjtën piramidë.
Më vjen mirë që ia kemi dalë që të zgjidhim një dilemë që na ka munduar prej 30 vitesh me këtë godinë. Ka pasur një moment kur një qeveri më parë vendosi që ta shembte piramidën. Ka pasur një debat publik dhe madje u krijua dhe një masë kritike çuditërisht në thonjëza të rinjsh që shumë pak lidhje kishin me kohën e shkuar që nënshkruan një peticion për të mos e shembur piramidën. Sfida e fituar nga Vini në këtë rast është spektakolare për faktin se këtij simboli të diktaturës dhe të pushtetit të një njeriu mbi të tjerët i jep fuqinë e simbolit të pushtetit të çdo njeriu në një kohë të re. Dhe faktikisht nga një godinë e ndërtuar për të sjellë në rresht të gjithë njerëzit që të adhuronin diktaturën dhe diktatorin, kthehet në një godinë që i sjell në tufa njerëzit për të celebruar lirinë, jetën dhe ngjitjen drejt qiellit të secilit”, deklaroi Rama.

Ai tha se duket në pamje të parë një zgjidhje arkitektonike por është edhe një shprehje kuptimplotë mes formës dhe përmbajtjes si rrallëherë.

“E bën Tiranën shumë më atraktive se godina me shkallë në Neë York.
Besoj se miku im i shtrenjtë dhe një nga shqiptarët më të mirë që kam njohur Michael Granoff thotë të vërtetën kur thotë se kjo godinë mund të jetë në të ardhmen një pikë referimi në rajon apo më gjerë se si një vend i vogël si Shqipëria pa shumë mundësi financiare i drejtohet botës së re dixhitale dhe si drejton një shembull që ka një impakt global për mënyrën e afrimit të të rinjve drejt kësaj bote.
Sigurisht duke përfituar nga modeli i suksesshëm i Tumës në Armeni dhe Paris. Ne më rezulton se jemi vendi i tretë që e përqafojmë këtë model. në këtë konfiguracion nuk mund të mungojë lali Eri dhe nuk mund tëm ungojë ambicia e tij ëpr ta bërë këtë godinë të gatshme për samitin dixhital të vitit të ardhshëm për gjithë vendet që i përkasin formatit 16+1, që do ishte dhe ky një moment fantastik. Në këtë pikë ia lë lali Erit që të mbajë fjalën. Nëse është djalë e kemi bashkë, nëse është vajzë e mban ai edhe pse mua nuk më pëlqen fortë ky krahasim sepse besoj që përgjithësisht vajzat janë më të mira se djemtë dhe në Shqipëri gratë janë më të mira se burrat. Michael është dakord me mua 100% se gratë janë më të mira se burrat dhe Vini ma ka bërë këtë pyetje mos vallë gratë janë më të mira se burrat dhe i kam thënë pa diskutim që po”, tha kreu i qeverisë.

(BalkanWeb)

Loading...