Kryeministri Edi Rama tha se Rusia po përdor si armë rritjen e çmimeve në vendet europiane, përfshi edhe Shqipërinë, për të shkatuar destabilitet duke “kundërvendosur opinionet publike”.
Rama gjithashtu u shpreh gjatë një deklarate të përbashkët me zyrtarin e lartë të BE-së, se përmendja e Shqipërisë dhe Kosovës nga Kremlini është shqetësuese.
Pjesë nga deklarata e Ramës:
Për sa i përket asaj që ka të bëjë me propagandën ruse, është përmendja e autoriteteve të Rusisë dhe akuza se po furnizon Ukrainën me mercenarë, së bashku me Kosovën, është një akuzë pa asnjë bazë, e pavërtetë.
Por edhe shqetësuese, megjithatë ne po e ndjekim me shumë vëmendje edhe këtë aspekt, dhe dua ta falenderoj edhe njëherë përfaqësuesin e lartë të BE, për këtë vizitë, dhe për gatishmërinë, që në rast se, dhe unë besoj se gjërat nëse do të vazhdojnë kështu për një apo dy muaj, BE do të detyrohet të bëjë diçka për të mbështetur vendet në vetvete, njerëzit, dhe nëse do ta bëjë këtë, duhet ta përfshijë Ballkanin Perëndimor. Rritja e çmimeve është armë që Rusia kërkon ta përdorë kundër nesh, për të kundërvendosur opinionet publike.
Këtë armë, që Kremlini po e përdor, ne duhet ta neutralizojmë me shumë durim, dhe vendosmëri dhe qartësi të madhe që kjo nuk është një luftë që nuk na përket. Është një luftë që na përket tërësisht. Është një luftë për të mbrojtur demokracinë. Por është edhe një luftë për të mos lejuar që forca e Rusisë të mos shtrihet përtej duke ardhur deri këtu apo duke shkuar deri poshtë. Jam i bindur që BE nuk do ta lejojë këtë.