Rama dhe Meta sot për dekretin e Ministrit të Brendshëm

Presidenti Ilir Meta autorizoi sot bërjen publike të pyetjeve josekrete drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me propozimin e Kryeministrit Edi Rama për emërimin e Sandër Lleshajt, ministër të Brendshëm.

Në shkresën e Kreut të Shtetit theksohet se “Sandër Lleshaj vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake dhe duke qenë se ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, emërimi i tij në detyrën e Ministrit të Brendshëm paraqet një problematikë themelore kushtetuese”.

Kjo, sepse sipas tij, “ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhjen ose emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama publikoi sot një shkresë, ku i kthente përgjigje pyetjeve të Presidentit Ilir Meta lidhur me dekretimin e Sandër Lleshajt, ministër i Brendshëm.

Rama shprehet i keqardhur, për faktin se “nëse Presidenti do t’i kishte shtruar qysh në krye të herës, pyetjet lidhur me statusin e gjeneral Sandër Lleshajt, me siguri s’do ta kishin përjetuar krisjen e “herës së parë”, në procesin e dekretimit të ministrit të Brendshëm”.

“Ekspertët tanë mbrojnë gjithashtu bindjen se edhe nëse ky do të ishte rasti, pra edhe nëse gjeneral Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në çdo detyrë, çdekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i Republikës do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit Tuaj për të si ministër. Ju mund ta çdekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar Jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm (bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë)”, nënvizon kryeministri Rama.

Duke ritheksuar faktin se ky ngërç mund të ishte evituar, Rama sqaroi po ashtu se “adresimi im si gjeneral, kur i referohem ministrit të ri të Brendshëm, ka të bëjë me titullin që mbetet pas gradës në karrierën e shkëlqyer të dikujt”.

Gjithashtu, Rama publikoi edhe letrën e zv.ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, drejtuar presidentit Ilir Meta.

Duke publikuar shkresën e plotë të Lleshaj, Rama thekson se “tani Presidenti është i lirë të zgjedhë interpretimin që do dhe në njërën rrugë a tjetrën, ta mbyllë procesin me dekretimin e Ministrit të Brendshëm, siç i’a kërkon Kushtetuta e Shqipërisë”.

Në letrën drejtuar Metës, Lleshaj saktëson se ai nuk mban statusin e ushtarakut prej vitit 2013, kur u lirua nga detyra e zv/shefit të Shtabit të Ushtrisë.

“Me devotshmëri dhe përgjegjësi ligjore, e qytetare pranova propozimin e kryeministrit për të mbajtur detyrën e ministrit të Brendshëm, me të gjitha vështirësitë dhe angazhimin professional që mbart ky funksion, sidomos në këtë moment historik. Me pranimin e këtij propozimi, i cili lidhet në mënyrë të pandashme me mosushtrimin e funksionit ushtarak, unë kam vendosur edhe heqjen dorë nga karriera ime ushtarake, pavarësisht nga mundësia që vendimi i gjykatës më ka dhënë. Konsideroj se zgjidhja e ngërçit kushtetues dhe emërimi me sukses i ministrit të Brendshëm, pavarësisht emrit të përveçëm të ministrit, është një interes madhor publik që prevalon mbi interesat e mia individuale”, deklaron Lleshaj. ATSH

Loading...